Me rastin e 3 Tetorit, Ditës së Bashkimit të Gjermanisë, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, i ka dërguar një letër urimi Presidentit të Bundestsgut, Wolfgang Schäuble.
Përmes letrës së saj në këtë ditë të veçantë për Gjermaninë, ajo ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe kontributin tashmë të njohur në mbështetjen e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor, çka u konfirmua edhe gjatë vizitës së Kancelares Angela Merkel në Tiranë, më 14 shtator të këtij viti.
Nikolla shtoi se marrëdhëniet e bashkëpunimi i suksesshëm midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Bundestagut Gjerman do të zgjerohet e fuqizohet më tej.
Letra e plotë e Lindita Nikolla:
Ju shpreh urimet më të përzemërta të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe të miat personalisht, me rastin e 3 Tetorit, Festës Kombëtare të Gjermanisë. Rënia e Murit të Berlinit dhe ribashkimi i Gjermanisë, këto ngjarje të shënuara për kombin gjerman dhe për të gjithë njerëzimin, lajmëruan erën e ndryshimeve demokratike dhe të lirisë për popujt e Evropës Lindore e Qendrore e më gjerë. Gjermania është sot një vend i madh, i fuqishëm dhe i përparuar, mike e Shqipërisë, një anëtare prestigjioze e Bashkimit Europian dhe shoqëria gjermane një model për demokracitë e reja. Shqipëria i është mirënjohëse Gjermanisë, Bundestagut dhe Juve personalisht për mbështetjen e vazhdueshme dhe kontributin tashmë të njohur në mbështetjen e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor, çka u konfirmua edhe gjatë vizitës së Kancelares Angela Merkel në Tiranë, më 14 shtator të këtij viti. Shpreh bindjen se marrëdhëniet e bashkëpunimi i suksesshëm midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Bundestagut Gjerman do të zgjerohet e fuqizohet më tej.
Presidenti Ilir Meta me rastin e ditës së bashkimit të Gjermanisë ka përcjell urimet e tij për popullin gjerman.
Duke iu drejtuar presidentit Frank-Walter Steinmeier në këtë ditë të veçantë dhe të rëndësishme për Gjermaninë me shumë gëzim dëshiroj të vlerësoj miqësinë e thellë e të sinqertë si dhe bashkëpunimin e shkëlqyer që ekziston ndërmjet dy vendeve e dy popujve tanë.
Mesazhi i plotë i presidentit:
I nderuar zoti President, Shkëlqesia Juaj, Frank-Walter Steinmeier
Me rastin e Ditës së Bashkimit të Gjermanisë, kam kënaqësinë e veçantë që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, të përcjell urimet e mia më të ngrohta e të sinqerta për Ju dhe popullin mik gjerman.
Në këtë ditë të veçantë dhe të rëndësishme për vendin dhe popullin Tuaj, me shumë gëzim dëshiroj të vlerësoj miqësinë e thellë e të sinqertë si dhe bashkëpunimin e shkëlqyer që ekziston ndërmjet dy vendeve e dy popujve tanë.
Vendi im mbetet thellësisht mirënjohës për mbështetjen e sinqertë dhe avokatinë e drejtpërdrejtë të Gjermanisë, si për vazhdimësinë gjeo-strategjike të procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, ashtu edhe për kapërcimin e vështirësive në procesin e hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Dëshiroj t’Ju falënderoj, Zoti President, edhe për mbështetjen që vendi Juaj, përmes Procesit të rëndësishëm të Berlinit, hapi një perspektivë të qartë politike dhe ekonomike integruese në Bashkimin Europian për të gjitha vendet e rajonit tonë dhe t’Ju siguroj se ky proces jetik për të gjithë ne, mbetet rruga më e qartë e më e sigurt për integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor në familjen dhe vlerat europiane.
Nënvizoj, në këto çaste të rëndësishme për të gjithë rajonin tonë, se do të vazhdojmë bashkëpunimin e shkëlqyer mes vendeve tona, si dy vende anëtare të NATO-s, për çështjet e sigurisë rajonale, në dobi një rajoni të paqtë, të begatë dhe të integruar në Bashkimin Europian.
Së bashku me urimet më të mira për Ju, si dhe për zhvillimin e përparimin e mëtejshëm të Gjermanisë, ju lutem, pranoni zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.