Në fshatin piktoresk të Polenës, pak kilometra larg qytetit të Korçës, aroma e lakrorit me dy peta, të pjekur në saç, mblodhi më 19 korrik qindra qytetarë, turistë dhe adhurues të kulinarisë tradicionale. Për të 18-in vit radhazi, në “Festën e Lakrorit” trashëgimia gastronomike e juglindjes shqiptare mori jetë përmes duarve të grave dhe vajzave të zonës.
Në oborret dhe sheshet e fshatit, burrat shtrojnë sofrat, ndërsa gratë nisin mjeshtërisht përgatitjen e lakrorit me spinaq, presh, qumësht e gjithfarë mbushjesh të tjera të stinës. Brenda disa minutash, saçet vihen në zjarr dhe aroma e petëve që piqen përhapet mes njerëzve si një ftesë për t’u ulur e për të kujtuar të shkuarën.
'I bëjmë lakrorët me qepë dhe me domate, me presh, me gjizë, si t'i duan. Gatimin e kam nisur që 10- vjeç, ndihmoja maman', tha një amvisë.
Përtej ushqimit, kjo festë është një përpjekje për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë kulturore të zonës, ku kulinaria gërshetohet me muzikën tradicionale, këngët polifonike dhe kërcimet popullore që shoqërojnë gjithë aktivitetin.
“Festa e Lakrorit”, e kthyer tashmë në një markë të identitetit kulinar të Korçës, vjen si pjesë e paketës kulturore të verës që organizohet nga Bashkia e qytetit. Synimi është i qartë: të ringjallet fshati, të ruhet memoria e tryezës shqiptare dhe të ofrohet një përvojë autentike për turistët që kërkojnë më shumë sesa thjesht një udhëtim.
Nga vit në vit, festa po zgjerohet, jo vetëm në pjesëmarrje por edhe në formë, duke përfshirë aktivitete artizanale, panair produktesh lokale dhe kënde për fëmijë, çka e bën këtë ditë një festë të gjithë familjes
Komente
