Ndonëse ditët e fundit ka pasur një rënie të shtrimeve në spital të të infektuarve me koronavirus, numri i viktimave vijon të mbetet i lartë. Mes tyre, ka edhe mosha të reja.
"Format e prezantuara janë më të rëndat. Përgjithësisht tek ne shtrohen format e rënda dhe kritike. Kjo e shpjegon ndoshta numrin e humbjeve të jetëve në spital. Nësë do flasim për javën e fundit shkon në 12-15 numri i shtrimeve në ditë. Të gjithë grupmoshat janë të shtruara në spital, nga mosha 30-35 vjec deri tek adultët e vjetër."-shprehet mjekja Esmeralda Meta.
Në spital vijojnë të predominojnë pacientë të pavaksinuar, ndërsa mjekja infeksioniste Esmeralda Meta thotë se nuk ka raste të riinfektimit të pacientëve që kanë qenë të shtruar në spital.
"Deri tani nuk kemi patur pacientë që kanë qenë të shtruar dhe të riinfektuar të shtruar jo."-shprehet mjekja.
Në prag të festave të fundvitit, mjekja Meta ka një apel për të gjithë qytetarët.
"Njerëzit janë skeptik në pjesën e vaksinimit të cilën një pjesë e mirë e kuptojnë pasi hospitalizohen sa i rëndësishëm ka qenë por duke pasur parasysh që jemi në prag festash kur ndërkohë festat kanë filluar sidomos festat kolektive, në ambiente të mbyllura dhe me distancë shumë të ngushtë çka e rrit propabilitetin e infektimeve kështu që vaksinimi është shumë i rëndësishëm dhe mbetet shumë i rëndësishëm."-shprehet mjekja.
Aktualisht në dy spitalet COVID ka 117 pacientë të shtruar mes të cilëve, 12 në gjendje më të rënduar.