Festat e Pavarësisë rikthejnë Tedi Papavramin në ‘Opera’, violinisti: Luaj pas 40 vitesh, ‘Balladën’ e Pjetër Gacit! Më çon në fëmijërinë time

25 Nëntor 2022, 14:20| Përditesimi: 25 Nëntor 2022, 15:35

  • Share

E rikthen në Teatrin e Operas, 110-vjetori i Pavarësisë… Ndaj në festën e tingujve të violinës, Tedi Papavrami, nuk mund ta privonte publikun vendas nga muzika shqiptare… “Balladën” e Pjetër Gacit, thotë se shpirti e memoria e tij e kanë konservuar si të mos qe shkëputur kurrë prej fëminisë në Shqipëri… e pret me endje ta luaj këtë mbrëmje. Hera e fundit që e ka performuar ka qenë plot 4 dekada më parë, kur sa kishte mbërritur në Francë.

“Ndonëse zgjedhja e kompozitorëve të huaj qe logjike dhe përputhet me ekuilibrin e një programi recitali, zgjedhjen e pjesës shqiptare ia lash në dorë një rryme më sentimentale. Jam sigurisht koshient që në historinë e muzikës shqiptare ka vepra më madhështore e të ndërlikuara se “Ballada” e kompozitorit shkodran Pjetër Gaci. Por veprat shqiptare që më lidhin me të kaluarën time në Shqipëri, në një kohë fëminore, kur nuk mendoja kurrë që do të jetoja më vonë në një vend tjetër, nuk janë të shumta dhe asnjë nga ato nuk është aq domethënëse sa kjo pjesë”, shprehet violinisti Tedi Papavrami.

E shoqëron në piano Philippe Bianconi, që vjen për herë të parë përballë publikut tonë. Me të kanë interpretuar në skena prestigjioze prej afro tri dekadash. Është një nga instrumentistët më të vlerësuar francez, që siç kritika e cilëson, “di të mbërrijë me një lojë të rrallë pranë shpirtit të muzikës, duke e mbushur hapësirën me poezi e jetë”.

“Është diçka e mrekullueshme për mua, dhe kaq emocionuese të jem këtu sot dhe të luaj për herë të parë një koncert në Shqipëri, në vendin e tij të lindjes,  në vendin ku  Tedi u rrit! Është një mundësi shumë e mirë, dhe jam shumë i lumtur që po e ndajmë bashkë!”, thotë pianisti Philippe Bianconi.

Dy artistët vijnë në Shqipëri në kuadër të Javëve Kombëtare dhe do të luajnë sot pjesë nga kompozitorë si Beethoven, Brahms dhe Franck.

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?