Tirana

Festat? Mezi po pres të shkoj në Shqipëri!

19 Dhjetor 2023, 17:07| Përditesimi: 21 Dhjetor 2023, 11:52

  • Share

Si ndryshojnë kohët dhe sa gëzim kur ndryshojnë për mirë! Të takosh shqiptarë që jetojnë e punojnë në Itali që thonë se mezi po presin të shkojnë në Shqipëri për festa, as nuk mund të mendohej jo shumë larg! “Te Mrizi i Zanave nuk kishte vend, po pres përgjigje për Beratin se më kanë thënë se është bërë shumë bukur dhe aty! Korça është plot, as nuk bëhet fjalë!” Eva dhe Arjani kanë një restorant të vetin në Lombardi, mes orizoreve në luginën e lumit Po. Eshtë ndër restorantet më me famë dhe fakti që administrohet nga një familje shqiptare, gëzon çdokënd nga këto anë (dhe nuk janë pak bashkëatdhetarët që jetojnë prej dekadash këtu).

Përditë e më shumë has të huaj, por edhe shqiptarë që jetojnë jashtë, që kanë si prioritet të lartë kalimin e disa ditëve pushimi në Shqipëri. Tani shqetësimi është nëse gjejnë apo nuk gjejnë vend si për transporte, ashtu dhe në strukturat mikpritëse. E bukura është se për ta do të ishte e njëjta gjë si në Tiranë, si në Gjirokastër, në Vlorë, në Shkodër, në Berat, në Durrës! Mjafton të gjejnë një vend me emër të mirë dhe shërbim si ato që kanë dëshmuar shumë vetë që bujtën sezonin e nxehtë.

“Do të kaloj festat e fundvitit në Shqipëri dhe po programoj të jem atje edhe këtë verë”, tingëllon si poezi për vendin tonë të vogël që mezi e ngriti kokën nga mundimet e zhvillimit e po mban frymën përmes sakrificave të bëra nga të gjithë për të mbajtur e për të arritur standarte të pëlqyeshme mikpritjeje.

Duket se zemrat dhe pëlqimet janë marrë, tani, edhe këtë sezon festash, pritet që secili të bëjë punën e vet sa më mirë. Në kalendarin e atyre që kanë prenotuar të vijnë apo të qëndrojnë në Shqipëri, fundviti i 2023, duhet të jetë më i bukuri dhe më i gëzueshmi i viteve!

a.m./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?