VIDEO/ Festë për ngjitjen në Pogradec, kapiteni e mbyll 40 vjeç! Valbona bën historinë, tifozët e futbollistë kërcejnë me tupana

6 Maj, 12:37| Përditesimi: 6 Maj, 13:10

  • Share

Pas dy sezoneve Pogradeci ia arriti të siguronte rikthimin në Kategorinë e Parë. Të besuarit e Samuel Nikës fituan 4-1 në fundjavë kundër Turbinës, duke bërë realitet një ëndërr të tifozëve.

“Më në fund, më në fund ia arritëm qëllimit. Kemi dy vjet që e vuajmë dhe e kërkojmë me ngulm rikthimin. Më në fund erdhi dita jonë. E kemi merituar edhe vjet, por fatkeqësisht fati s’ishte me ne. Tani vërtetë e meritojmë,”-u shpreh Hermes Shkullaku, futbollist i Pogradecit.

“Kam fituar edhe tre herë kategorinë e parë por di të them diçka që kjo Kategoria e Dytë ishte shumë më e vështirë,”-tha Samuel Nikaj, trajner i Pogradecit.

Përveç 2 mijë tifozëve në stadium, këtë ndeshje e bëri më emocionuese edhe fakti që kapiteni Armir Pura u tërhoq nga futbolli.

“Janë emocione shumë të forta. Falenderoj të gjithë çunat, stafin drejtues, tifozëve dhe gjithë të tjerëve. Iu them që iu dua shumë. Mbyllja e karrierës? Është kënaqësi që arrita të luaj gjithë këto vite,”-u shpreh Armir Pura, kapiten i Pogradecit.

Liqenorët do rikthehen në Kategorinë e Parë si kampionë të grupit B në Kategorinë e Dytë, ndërsa po këtë fundjavë Valbona u shpall kampione e grupit A në Kategorinë e Dytë. Fitorja 5-1 kundër Murlanit i suguroi tropojanëve për herë të parë në histori ngjitjen në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm. Një arritje që u festua në fushë dhe jashtë saj, me futbollistët që kërcenin me tifozët.

Më herët, Elbasani që prej javësh kishte siguruar ngjitjen në Superligë, me fitoren 5-0 kundër Tomorrit siguroi edhe matematikisht titullin kampion në Kategorinë e Parë. Një titull që çoi peshë zemrat e tifozëve. Ndërkohë për shkak të humbjes 1-0 kundër Flamurtarit Luzi zbriti matematikisht në Kategorinë e Dytë, duke iu bashkuar Tomorrit.

Ne.k./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?