Në Pogradec ka nisur festivali i filmit Ballkanit, ku marrin pjesë kineastë nga 12 shtete të rajonit dhe do të prezantohen 75 filma me metrazh të gjatë e të shkurtër. Për organizatorin Eno Milkani risi këtë vit janë filmat eksperimentalë.
Festivali Ballkanik i Filmit çeli edicionin e 13-të, mbrëmjen e së martës në qytetin e Pogradecit.
Mbrëmja u hap me dokumentarin “Legjendat e Gjolit”, bazuar në shënimet e Mitrushit, Lasgushit dhe Fatos Baxhakut.
Për organizatorin Eno Milkani, fokusi sivjet është tek filmi eksperimental, ku rreth 20 të tillë janë seleksionuar nga të gjithë vendet pjesëmarrëse. Gjithashtu risi është shfaqja e filmave shqiptar të restauruar.
“Në natën e parë të festivalit, u prezantuan 6 filma, mes tyre komedia me metrazh të gjatë “Një jetë me ty” i regjisorit Erion Kames me kastën e aktoreve Dritan Arbana, Ajsi Xhaxhaj dhe Sindi Leka. Komedia ka në fokus marrëdhëniet e një çifti, e cila rrëfehet si histori, një herë nga burri dhe një herë nga gruaja”, tha Eno Milkani, producent.
“Përgjatë 4 netëve të festivalit, nga 20 deri më 24 qershor do të prezantohen gjithsej 75 filma me metrazh të gjatë, mesëm dhe të shkurtër me pjesëmarrjen e kineastëve nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Serbia, Moldavia, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Sllovenia, Rumania, Greqia, Bullgaria dhe Turqia. Në natën finale do të ndahen çmimet për filmat më të mirë sipas zhanreve”, tha Erion Kame, regjizor dhe skenarist.