Tirana ka nisur festivalin “Digital Nomad”, i cili për tre ditë me radhë do të kthehet në pikëtakimin e ekspertëve digjitalë nga vende të ndryshme të botës, për të ndarë përvojat e tyre me profesionistë, sipërmarrës dhe novatorë të rinj, që aktualisht eksplorojnë botën e teknologjisë dhe punës në distancë.
Në të tre ditët e këtij festivali, që po zhvillohet në Tumo Center, janë organizuar panele të ndryshme me folës ndërkombëtarë, që i janë bashkuar edicionit të parë të Tirana Digital Nomad Festival, prezenca e të cilëve është mundësuar nga mbështetja e GIZ Albania dhe Bashkisë së Tiranës, si organizatore e një festivali risi në llojin e tij.
Menaxherja e TUMO-s, Shqipe Berisha, thotë se çdo javë në këtë qendër mësojnë 1500 studentë.
“Tashmë bëjmë 2 vjet që jemi hapur dhe rreth 1500 studentë vijnë çdo javë në Tumo për të mësuar aftësi dixhitale, si graphic design, robotikë, etj. Mezi po presim të kalojmë te Piramida, sepse këtu jemi në kufijtë e maksimumit të kapacitetit dhe te Piramida do të dyfishohemi,” u shpreh ajo.
Edhe Dean Kuchel, një Digital Nomad shprehet se Shqipëria por dhe gjithë Ballkani është kthyer në një destinacion për nomadët digjitalë.