Gjirokastra po përgatitet të presë Festivalin Folklorik Kombëtar, i cili do të zhvillohet prej 24 qershorit deri në 1 korrik. Këshilli i Ministrave ka miratuar ditën e sotme fondet që do të alokohen organizimin e këtij festivali, i cili rikthehet pas rreth 8 vitesh në qytetin e gurtë.
Konkretisht, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave për blerjen e pajisjeve për zonën e spektatorëve dhe ambiente të tjera në kala do të shkojë fondi prej 830 000 (tetëqind e tridhjetë mijë) lekësh. Ndërkohë, për shpenzimet e ‘operative’ shtohet fondi prej 11 900 000 (njëmbëdhjetë milionë e nëntëqind mijë).
Gjirokastra për një javë do të jetë kryeqyteti kulturës shqiptare ndërsa performancat e me tepër se 1200 artistëve do të shtrihen jo vetëm në kala por edhe në zona të ndryshme të qytetit.
Vendimi i plotë
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.228, DATË 13.4.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2023, MIRATUAR PËR MINISTRINË E KULTURËS, PËR FINANCIMIN E FESTIVALIT FOLKLORIK KOMBËTAR GJIROKASTËR, 24 QERSHOR – 2 KORRIK 2023”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, me propozimin e ministrit të Kulturës dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në pikën 1, të vendimit nr.228, datë 13.4.2023, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
a) Shkronja “b” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“b) Në shpenzimet kapitale “Investime” shtohet fondi prej 830 000 (tetëqind e tridhjetë mijë) lekësh për blerje pajisjesh për zonën e spektatorëve dhe ambiente të tjera në kala.”.
b) Pas shkronjës “b” shtohet shkronja “c”, me këtë përmbajtje:
“c) Në shpenzimet “Operative” shtohet fondi prej 11 900 000 (njëmbëdhjetë milionë e nëntëqind mijë) lekësh për grantet e qarqeve.”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.