Nga Pusteci ku ka marrë pjesë në festivalin folklorik të grupeve maqedonase të rajonit, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski u tha banorëve të Pustecit se janë sinonim i besnikërisë dhe dinjitetit.
Mickoski në fjalën e tij premtoi mbështetje të pakushtëzuar nga shteti maqedonas. Ai deklaroi se janë bërë përpjekje për të fshehur identitetin e maqedonasve, ndërsa u tha se nuk duhet që të lejojnë askënd t’ju mohojë identitetin.
Kryeministri maqedonas tha se banorët e Pustecit nuk janë as grekë, as serbë dhe as bullgarë, por maqedonas të Shqipërisë.
"Sot, kur qëndroj përpara jush, nuk flas vetëm si Kryeministër i Qeverisë, por flas si një njeri që beson se një komb përbëhet pikërisht nga kjo, lidhja mes njerëzve që e ndjej si timen, pa dallim se ku jetojmë. Edhe kur jemi afër, edhe kur jemi larg, qoftë në atdhe apo jashtë tij, ndjenja, identiteti, përkatësia, të gjitha bëhen një. Vendi juaj në këtë histori është i veçantë, jo vetëm sepse gjeografikisht jemi në shtete të ndryshme, por sepse ju jeni thellësisht në zemrën e atdheut tonë. Ju jeni sinonim i qëndrueshmërisë, i besnikërisë së heshtur, i dinjitetit dhe i përulësisë së njëkohshme. Edhe kur askush nuk ju pyeti, edhe kur askush nuk ju përmendi, ju mbetët ata që jeni. Dhe mbetët besnikë ndaj shtetit në të cilin jetoni.
Gjatë dekadave të fundit shumë gjëra janë ndryshuar, politika, qeveri, kufij, por ju qëndruat të palëkundur. Këtu, gjuha maqedonase nuk ruhet si zakon, por trashëgohet me dashuri. Këtu, kënga, zakonet, kujtimet janë pjesë e jetës suaj të përditshme. Pikërisht për këtë ndjehet një respekt i thellë kur dikush vjen këtu, jo nga formaliteti, por nga bindja e sinqertë. Më vjen keq që propaganda që ka ndjekur maqedonasit ndër histori nuk ju ka kursyer as ju. Ju jetoni këtu, i nderoni këto troje, i jetoni këto troje. Përmes zëvendësimesh, përmes presionesh, përmes ndalesash, kanë tentuar të tronditin atë që është e juaja, por ju mbetët të palëkundur.
Prandaj si qeveri, si qeveri maqedonase, kemi përgjegjësi të jemi mbështetje, mbështetja juaj. Në arsim, në kulturë, në zhvillim ekonomik, në të gjitha format e bashkëpunimit ndërkufitar. Jo si mëshirë, por si detyrim. Jo sepse dikush na bën presion, por sepse besojmë se kjo është e drejta. Këtë fazë të re duam ta shohim si vëllezër e motra , për nga gjaku, për nga identiteti, për nga gjuha. T’ju dëgjojmë zërin, të punojmë së bashku, të jemi të pranishëm. Dhe secili që jeton këtu ta dijë se nuk është vetëm. Dua që fshati Pustec të rritet me ndjenjën e përkatësisë, që nuk bazohet në frikë, por në vetëbesim. Dua që çdo prind këtu ta dijë se ka vlerë t’i mësojë fëmijës së vet gjuhën amtare. Dua të krijojmë kushte që këtu të jetohet më mirë, jo me fjalë boshe, por me rezultate të dukshme', tha ai.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut u zotua se ky nuk është një takim i fundit, por një fillim i ri në marrëdhënien mes shtetit maqedonas dhe komunitetit në Pustec
'Ky nuk është takimi i fundit. Kjo është një fillim i ri dhe i pari nga shumë të tillë. Sepse puna jonë tani sapo ka filluar. Ne jemi këtu jo vetëm për të folur, por për një lidhje që do të ndërtohet çdo ditë, me projekte, me programe, me politika që do të arrijnë deri te ju, ashtu siç sinqeriteti juaj arriti te ne. Përmes përkatësisë sonë kombëtare, Pusteci është dëshmi se përkatësia nuk fshihet, se rrënjët mbeten edhe kur na fryjnë erëra të forta, dhe se ekzistojnë njerëz që nuk presin falënderime, por vetëm mundësi për të vazhduar atje ku të tjerët do të dorëzoheshin.
Kohët e fundit jemi dëshmitarë të përpjekjeve për të na mohuar, për të na unifikuar me zor, për të na bërë “modernë”, për të na fshirë, për të vënë në dyshim gjithçka që është maqedonase. Por ajo që shoh sot këtu para meje, në Pustec, dhe ajo që ndjej, për mua është një burim i madh frymëzimi për të vazhduar më tej, për të përkrahur maqedonasit kudo në botë dhe për të treguar se ne jemi maqedonas, me një identitet maqedonas shumë shekullor e të veçantë, që flasin gjuhën amtare maqedonase, të ndryshme nga të gjitha gjuhët e tjera të Ballkanit. Ne jemi maqedonas krenarë, kemi qenë dhe do të mbetemi gjithmonë maqedonas', tha ai.
Komente
