Festivali i 11 (+47) i një italiani

12 Dhjetor 2019, 20:49| Përditesimi: 12 Dhjetor 2019, 20:55

  • Share

Që do të shihja festival në një bunker nuk e kisha menduar, madje as imagjinuar. Bunkeri nuk mund të jetë pjesë e një imagjinate të shëndoshë. Megjithatë vetëm ideja që do të ndodhesha në të njejtin mjedis me ata që “kishin bërë“ duke u “zhbërë“ Festivalin e 11 më ekzaltoi, siç më ekzalton çdo ide interesante e qytetit tim.
Nuk e prisja që një Italian të sillte në skenë një Festival që për vetë shqiptarët që lindën pas vitit 1972 nuk u morr vesh kurrë me saktësi si dhe pse ndodhi “rënia” e siparit të lëvizjes kulturore, ajo që do të “ngrinte” përfundimisht plot këngëtarë dhe autorë; dhe që ngriu përfundimisht Luan Zhegun. Tregon Bujar Kapexhiu: “Më kishin folur për një djalë që premtonte në fushën e muzikës, atëherë kur unë punoja në Teatrin e Varietesë së Estradës dhe e prita me kënaqësi. Djaloshi, timid dhe me flokë kacurele bjond qëndroi në një cep të skenës dhe nisi të këndonte. Këndonte me një zë të mrekullueshëm dhe lëvizte këmbën. Një zë mrekulli. Këndoi këngën e dytë. Në këngën e tretë, i them, djalosh ke talent, këndon shumë bukur, por këmbën mos e lëviz”. Dhe ngriu kështu Luani. Ai nuk morri pjesë në festival, por ngriu, përpara se ta “ngrinin”.
Në sallë ndodhet poeti Sadik Bejko që tregon emocionet e tij kur shkroi tekstin e këngës “Një degë e gjelëbër, kënduar në festival nga Iliriana Carcani, me muzikë të Kujtim Laros. Iliriana Carcanin nuk e morri vesh njeri ku bëhet.
“Rruga e Dibrës” dikur e kënduar nga Sherif Merdani, me tekst të Agim Shehut dhe muzikë të Alfons Ballicit është nga këngët më të bukura të të gjitha festivaleve. Kjo këngë më ngjan me një libër, homazh për të gjithë brezin e prindërve tanë të dashuruar në rrugët e Tiranës. Në festivalin 11(+47) në Bunkart erdhi me potencën e zërit të Vitmar Bashës, një djaloshi që kur këndonte më vinte ta përqafoja sepse më dukej sikur i kishte njohur djemtë e rrugës së Dibrës.
Në skenë del Kozi, për ata që nuk e njohin, Kozma Dushi këndoi aq shumë për dashurinë, por asnjëherë nuk morri cmim. E takoj në një “sheshpushim” të bunkerit të artit dhe i kërkoj të bëj një fotografi me të. Më thotë: “Qysh e ke emrin, a të keqen? (sa më pëlqen Kozi, me dialektin e pandryshuar). Evis Cerga, i them. “Ca e ke Nandin (e ka fjalin për aktorin Ardian Cerga), a të keqen?” Djalë xhaxhai, i them, por edhe Vera Grabockën e kam teze. “Eh, Vera, nuk bën më nëna regjisore si Vera. Nuk lindin të tilla. Unë kam marrë pjesë në 36 festivale. Më shumë se Vacja” e mbyll bisedën Kozi. Në skenë Kozi këndon një këngë të kompozuar nga Luan Zhegu. Dhe këngët e tij dhe Luanit i këndojmë të gjithë. E dimë tekstin, njohim muzikën.
Justina Aliaj ka ardhur nga Brukseli për tu futur në bunker. E kujt do t’ia merrte mendja se do të këndonte në bunker, ajo që këndoi “Në ekranin e televizorit” në festivalin e 11. Ja si e kujton ajo atë festival 47 vite më pas: “Profesori Kudret Velca më pyet (ajo imiton profesorin me zërin e tij karakteristik): Hë moj Justinë si kaloi festivali? I them, mirë profesor. Mbaroi. Eh moj Justinë, më thotë, po të tregoj një anekdotë: “E panë një ditë Nastradinin që sharonte dru me sharrë dhe i thonë: cfarë po bën o Nastradin? Po i bie violinës përgjigjet ai. Po ne nuk po ia dëgjojmë zërin! Eh, do t’ia dëgjoni nesër, u përgjigj ai”. Por Justina nuk flet më, ajo këndon, me gjeste si të ishte në atë skenë të atij festivali që shënoi jetët e artistëve dhe qytetit në atë vit 1972.
Vace Zela këndoi “Natën vonë“ dhe natën e parë e la këngën në mes, për shkak të një defekti teknik. Bujar Kapexhiu tregon se me humor i thotë Vaces natën tjetër: Sonte do të këndosh një këngë e gjysëm, se na e ke një borxh.” Vacja këndoi një këngë. Natën vonë, por për të asnjëherë nuk u bë vonë.
Dhe një këngëtare e re me emrin Lindita Sota këndoi një këngë me titull “Udhët janë të bukura”. U desh të kalonin 47 vjet që të mësoja titullin e vërtetë të këngës që e njihnim me emrin “Kafe Flora”.
Kënga fituese e festivalit të 11 “Erdh pranvera” që u këndua nga Tonin Tërshana u këndua pak, por mbeti një himn i muzikës së lehtë shqiptare.
E po kështu këngëa “Vajza dhe Kompozitori” kënduar nga Suzana Qatipi, me muzikë të Aleksandër Lalos, “Duart e tua” kënduar nga Sherif Merdani, me muzikë të fqinjit tim që u largua nga jeta fare i ri, Kastriot Gjinit. Liljana Kondakci me “Mozaik tingujsh, mozaik ngjyrash”, me tekst të poetes Natasha Lako dhe muzikë të Aleksandër Pecit.
Të gjitha këto këngë e plot të tjera i solli në skenën e një bunkeri të artit, nga këngëtarë të rinj një italian, me pasion për artin e një vendi që e ka bërë të tijin. Falemnderit Carlo Bollino.

xy/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?