Mbyllet me emocione nata e dytë e Festivalit të XI të këngës! Protagonistët: Më shqiptari që është bërë ndonjëherë...Mos humbisni surprizat në finalen e sotme në 20:30 në Report Tv

2 Janar 2020, 23:19| Përditesimi: 14 Janar 2020, 18:35

  • Share

Festivali i 11-të, në mbrëmjen e dytë risolli në skenën e improvizuar të Bunk’Art1, që u transmetua për telespektatorët përmes valëve të “ReportTV”, si rrallëherë 7 këngë të tjera nga ngjarja më e zhurmshme artistike e diktaturës. 7 këngë në të cilat arti flet me të vetmen gjuhë, që nuk i rri ngushtë, atë të lirisë, të ndjesive personale, të shpresës e mendimit futurist, që kësaj here erdhën nën prezantimin e Bujar Kapexhiut dhe këngëtares Marsela Çibukaj.

Ndonëse, kjo shprehi faqebardhë u lëvdua fillimisht nga populli, do t’u kthehej kundër artistëve, sapo u ndie zemërimi i diktatorit Enver Hoxha, bashkë më sërën e tij. Këngëtarja Justina Aliaj, befason publikun me përjetimet e 47 viteve më parë. E privuar nga aktrimi e kënga për 18 vjet, vetëm se talenti dhe hijeshia e artistes, kishte verbuar logjikën e diktatorit.

“Kanë kaluar shumë vite, të them të drejtën, ka dhimbje ka ëmbëlsi. Por e them pa frikë, se vika një kohë që ke nostalgji, sepse më duket se kemi bërë art, kemi bërë melodi”, shprehet këngëtarja Justina Aliaj.

Këngëtari i ri Hilmi Hoxha, i cili këndoi “Vajza e qelqeve”  nuk u lejua të këndojë më në asnjë festival. Dorian Nini, i cili i dha ritme moderne këngës “Shoqja ime më e mirë” me kompozim të Çesk Zadesë u dërgua në Rrëshen, ku me muzikën e tij u bë një nga njerëzit më të dashur për vendasit. Kësaj here për telespektatorët e ReportTV ngjarjen e rrëfen djali i tij

“Më ka treguar babi se si ka qenë që të kesh familje edhe ta takosh vetëm një herë në javë, edhe të krijosh familje . Por më ka treguar se e ka  marrë atë gjë edhe e ka kthyer në pozitivitet, duke bërë atë që e kishte pasion”, tregon djali i Dorian Ninit.

Edhe përgjegjësi teknik i audios së festivalit, Spiro Konduri rrëfeu këtë udhëtim për telespektatorët e ReporTV.

“Regjistrimet që dëgjohen në festivalet e mëparshëm janë të gjithë janë nga salla, ky ishte i pari festival që u regjistrua në studio”, shprehet Konduri.

Një mbrëmje retrospektiv, që i bëri homazh këngës së ndaluar të Fatbardha Rakipit, apo “Vaçes” së dytë , Ema Qazimit. Sikundër nuk kishte si të mungonte kënga “Kur dëgjojmë zëra nga bota” me tekst të poetit Sadik Bejko, që u këndua nga këngëtari Françesk Radi. Një artist, mbi të cilin sistemi lëshoi ndëshkime të egra, duke e strehuar në një barakë të ftohtë në Fushë Arrëz, bashkë me familjen, megjithatë, ai nuk ndali, por zgjodhi t’i këndojë jetës e dashurisë.

“Nuk ishte kënga e Vietnamit e papranushme, por figura e kantautorit që është i aftë të këndojë, të luajë edhe tas sjellë vet melodinë në skenë. Ishte kjo prerje 20-vjeçare që ka qenë e hidhur për Vietnamin”, thotë poeti Bejko.  

Frymën e atij sistemi që e privoi për 7 vite nga festivali, Bashkim Alibali e rrëfen në Bunk’Art 1.

“Ky ishte festivali më shqiptar që ishte bërë ndonjëherë, për mua kishte një farë krenarie të ligjshme kombëtare mund të them, sepse Festivali I Sanremos nuk kishte ndonjë gjë më shumë, që se kishte festivali 11”, shprehet Alibali.

Bashkë me Alibalin në skenë ngjitet edhe kompozitori i këngës “Mbrëmja e fundit”, Enver Shëngjergji, i cili teksa shtrëngon duart fort mbi paterica, përkulet plot mirënjohje para publikut

“Më tragjikja ishte mbledhja e 73-it në Lidhjen e Shkrimtarëve mes vet artistëve. Referatin kryesor e mban Zhani Ciko, në sallë, në kryesi ishte Ramiz Alia. Imagjino çfarë tmerri edhe torture, mirë ne që ishim nga 24 vjeç, të rinj, kur i është drejtuar të madhit, korifeut Çesk Zades, Ramiz Alia duke i thënë: “Po edhe ti more Çesk, edhe ti ke bërë këngë kështu. Çesku i ndjerë pak me shkodrançen e vet, pak me një gojë të vogël, mezi iu merreshin vesh fjalët”, rrëfen kompozitori Shëngjergji.

Ndërsa, virtuozi Olen Cezari me “Ave Maria” kujton edhe qetëson shpirtrat e atyre që s’janë, por, që luftuan për këtë festival, duke e parë si një filiz shprese të çelur në Shqipërinë e diktaturës, ku çdo formë lirie vihej në gijotinë.

Këngëtarja Irma Libohova me një serenatë të ndjerë, vjen si e ftuar speciale në skenën e Bunk’art 1, në festivalin, që para 47 vitesh, do ta ndiqte nga salla e operës, si spektatore.

Nata finale e këtij Festivali retrospektivë, e ideuar dhe organizuar nga gazetari Carlo Bollino vijon edhe në mbrëmjen e sotme ora 20.30 përmes valëve të ReportTV dhe Radio Televizionit Publik Shqiptar, me të tjera këngë surpriza e histori njerëzore.

Risjellja e Festivalit të XI 47 vite pas në Bunk'art 1 u mundësua nga sponsori gjeneral, Bankers Petroleum.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?