Roberto Benigni, aktori i famshëm italian u nderua me çmimin e karrierës festivalin e Filmit në Venecia, por që çmimin e tij ai i ka dedikuar bashkëshortes së tij.
"Dua t'i kushtoj disa momente të fjalimit tim aktores time të preferuar: Nicoletta Braschi. Unë nuk mund të ia kushtoj këtë çmim asaj, sepse çmimi është i saj. Ne bëmë gjithçka së bashku për dyzet vjet. Unë di vetëm një mënyrë për të matur kohën: me ty dhe pa ty”, tha Roberto Benigni ndërsa i kushtoi gruas së tij Luanin e Artë për arritje në karrierë.
Në ceremoninë e hapjes ku padyshim respektohen masat anti-covid, dhe 68-vjeçari solli në skenë hijeshinë dhe fjalimin e tij të mbushur me plot humor.
“Dua të falënderoj të gjithë ata që më duan dhe besuan në atë që po bëja. Që nga njerëzit e parë që më mbështetën, pa të cilët nuk do të bëja asnjë hap kur të bashkohesha me showbiz –in. Unë vij nga asgjëja. Nga varfëria, një varfëri e mrekullueshme, një varfëri aristokratike, por një varfëri e vërtetë, e bukur. Shumë njerëz më ndihmuan në këtë udhëtim që më solli këtë dhuratë të mrekullueshme”, u shpreh aktori.
Yje të kinemasë botërore morën pjesë në ceremoni, shumë prej të cilëve po konkurrojnë për një çmim prestigjioz të “Luanit të Artë”.
Në 8 shtator është edhe premiera e filmit ‘Vera andrron detin’ me skenar nga Doruntina Basha dhe regji të Kaltrina Krasniqi, një bashkëprodhim nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Festivali i Filmit do të vijojë deri në datën 12 shtator.