Festivali i Gjirokastrës mblodhi përgjatë 8 ditëve 120 interpretues nga të gjitha trevat shqiptare. Në skenë u panë më të mirat e këngëve, valleve, riteve, kostumeve tradicionale duke u pasuruar me të tjera aktivitete që prekën edhe artizanatin, kulinarin e trashëgiminë vendase. Emocionues e bëri këtë rikthim të ngjarjes së madhe pas 8 vjetëve edhe prania e madhe e spektatorëve, ku artdashës e artistë morën pjesë me familjarët e tyre. Krahas fotos së djalit të vogël të kryeministrit, me prindërit Edin dhe Linda Ramën, edhe drejtorja e Teatrit të Operas dhe Baletit, violinistja Abigela Voshtina, u shfaq për herë të parë mes radhëve të spektatorëve si nënë, duke ushqyer djalin e saj foshnjë Enean.
Artistja drejton prej një viti një nga institucionet më me peshë të artit. Detyrë që e vijoi paralelisht me angazhimin si nënë e re.
Voshtina shoqëroi në këtë ngjarje të madhe të promovimit të folklorit shqiptar edhe trupën e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, që performuan në hapje të Festivalit Folklorik të Gjirkoastrës dhe në përfundim të Festivalit me Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve nga Kosova, “Shota”