Në Tiranë po zhvillohet edicioni i dytë i Festivalit Digjital Nomad. Ky event bën bashkë nomadët digjitalë në mbarë botën, profesionistët, sipërmarrësit, novatorët dhe të gjithë të rinjtë që aktualisht eksplorojnë botën e punës në distancë, ose ëndërrojnë për një punë të tillë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se ndihet krenar që festivale të tilla zhvillohen në Tiranën që po bëhet gjithnjë e më gjithëpërfshirëse.
"Është një kënaqësi e jashtëzakonshme që, për edicionin e dytë të Festivalit të Nomadëve Digjitalë në Tiranë po zhvillohet si një trend i jashtëzakonshëm që ka përfshirë sot gjithë Evropën, sidomos pas Covid-it, ku shumë prej punëve mund të bëhen në distance. Sot Tirana është numri një në Ballkan, me 3000 nomadë digjitalë, me njerëz profesionistë që kanë dije, jo thjesht njerëz që bëjnë punë manuale, por njerëz që bëjnë punët e së ardhmes. Jo vetëm ata jetojnë mirë në Tiranë, por njohuria që përhapin dhe fakti se si edhe ekosistemi lokal i shumë prej kompanive, shumë prej start-up, frymëzohet nga nomadët digjitalë, është diçka e jashtëzakonshme.
Patjetër që promovojmë Tiranën, sigurisht po përgatitemi që vitin tjetër të jemi Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës. Një pjesë e madhe e nomadëve digjitalë do të përfshihen në aktivitete të kulturës dhe të mendosh që jemi rritur në një qytet që kishim vetëm një kombësi; sot jemi në një qytet që ka mbi 140 e ca kombësi do të thotë që diçka po funksionon në Tiranë. Do të donim që ta vazhdonim me gjithë këtë energji pozitive këtë rrugëtim, për të qenë vërtet një qytet kozmopolitan i të gjithëve", u shpreh Veliaj.
Të pranishmit eksploruan të ardhmen e punës, teknologjisë dhe lidhjeve globale me folës dinamikë dhe sesione me histori suksesi frymëzuese.