Festivali i Teatrit për Shkollat e Mesme, TK-RIN ART 2019, rikthehet në edicionin e dytë tek ArTurbina. Gjimnazistët e dhjetë shkollave në Tiranë, do të ngjisin në skenën e teatrit shfaqje, si “Loja e dashurisë dhe rastësisë”, “Shtëpi kukulle”, “Testamenti”, “Përtej horizontit” edhe të tjera, nën udhëheqjen e regjisorëve të rinj. Festivali u jep mundësinë, të gjithë të rinjve, që kanë talent dhe dëshirë për t’u marrë me art, që t’i zhvillojnë më tej njohuritë e tyre. Drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, mirëpret gjimnazistët, duke u uruar mirëseardhjen në teatër
“Mendojmë që pas Festivalit në shtator, të nisim me konceptin e studios eksperimentale. Kjo do të thotë që ne të krijojmë skena paralele me artistë, që do të bëhen pjesë e teatrit, paralelisht me artistët profesionistë në skenë”, shprehet Hervin Çuli.
E pranishme ishte edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila e konsideroi këtë projekt shumë të mirë për identifikimin e elementëve të talentuar
“Është shumë kënaqësi që shikoj brezin e ri, që ka një lloj entuziazmi, që vjen nga arti dhe kultura. Është një mundësi shumë e mirë që Ministria e Kulturës ka nisur këtë punë”, thotë Elva Margariti.
Ndërsa, gjimnazistët ndanë mes tyre eksperiencën e fituar gjatë këtij udhëtimi
“Jemi shumë të kënaqur për këtë iniciativë, që ne na jep mundësinë për të zhvilluar më shumë pasionin tonë për teatrin”, shprehen gjimnazistët.
Regjisorët e rinj që po punojnë në dhjetë shkolla të kryeqytetit, janë: Ledjan Gjeçi – “Arben Broci”, Algiona Aga – “Sami Frashëri”, Alba Shtembari – “Petro Nini Luarasi”, Deljana Topulli – “Aleks Buda”, Ledio Shehaj – “Andon Zako Çajupi”, Albi Dhima – “Qemal Stafa”, Françeska Hysi – “Ismail Qemali”, Marsel Greva – “Partizani”, Xhuliano Brisku – “Besnik Sykja”, Emiljano Bufazi – “Abdulla Keta”.
Festivali nis në datë 20 mars në skenën e ArTurbinës.