Kultura

Festivali i tretë Evropian i Kineastëve të Rinj, çmimi i publikut për produksionin italo-shqiptar

12 Shtator, 16:52| Përditesimi: 12 Shtator, 18:08

  • Share

Festivali i Kineastëve të Rinj Europianë Tiranë (Tirana European Youth Film Festival – TEYFF) është rikthyer në edicionin e tij të tretë. Një iniciativë që synon të hapë një dritare të re drejt kinemasë evropiane në Tiranë në të janë prezantuar dhe vlerësuar me çmime filma dhe regjisorë nga vende të ndryshme të Evropës.

***

Tetë filma nga Mali i Zi, Bullgaria, Italia, Kosova, Polonia, Turqia, Gjermania e Suedia janë prezantuar në edicionin e tretë të Festivalit Evropian të Kineastëve të Rinj të mbajtur në Tiranë. 

Juria me profesionistë krijues vendas e ndërkombëtarë e përbërë nga regjisori dhe skenaristi italian Edgardo Pistone, regjisorja dhe bashkëthemelueja e TEYFF Elkjana Gjipali, aktori shqiptar me karrierë ndërkombëtare Nik Xhelilaj dhe botuesja Arlinda Dudaj ndanë çmimet: Filmi më i mirë për “The House with No Address” nga Hatice Askin; Regjisori më i mirë për Ivan Marinović me “Forever Hold Your Peace”; Skenari më i mirë për “Clearing” nga Magdalena Pięta dhe Kinematografia më e mirë për “Another German Tank Story” nga Jannis Alexander Kiefer, ndërsa publiku zgjodhi fituesin e Audience Award, që shkoi për filmin “E se mio padre” të regjisores italiane Sole Tonnini, një bashkëproduksion italo-shqiptar (me producente shqiptare Adele Budina).

Programi jashtë konkurrimit zgjeroi horizontin e festivalit drejt trashëgimisë filmike dhe perspektivave bashkëkohore. Dy filma shqiptarë që shënuan tranzicionin post-komunist, Unë e dua erën (1991) i Albert Mingës dhe Yllka (2003) i Ylli Pepos u rikthyen në ekran jo vetëm për nostalgjikët, por veçanërisht për brezin e ri të cilët nuk i kanë parë këto filma duke krijuar kështu një urë komunikimi, së bashku me Përtej Rrugës (2009) të regjisorit kosovar Yll Çitaku. Nata e mbylljes solli gjithashtu shfaqjen e filmit kult shqiptar të restauruar “Vdekja e Kalit” (1992) nga Saimir Kumbaro, pasi pati një takim dhe bisedë me protagonistin e tij, aktorin Timo Flloko.

Edicioni erdhi nën drejtimin e Malda Likës dhe mbështeti brezin e ardhshëm të profesionistëve të filmit përmes një serie bisedash dhe takimesh profesionale me tema që nga puna arkivore dhe përfshirja e të rinjve me Arkivin Qëndror Shtetëror të Filmit, tek udhëzimet sesi të gjenden subjektet tek veprat letrare etj.

Një “industry event”, The Film Industry Wants You! i drejtuar nga Jonid Jorgji (Kryetar i Qendrës Kombëtare Kinematografike në Shqipëri) dhe producentët shqiptarë Dionis Papadhimitri dhe Ols Abazi prezantoi të rinjtë dhe të apasionuarit shqiptarë pas kinemasë me profesionet shpesh të nënvlerësuara në fushën e kinematografisë

V.GJ /SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni ndryshimet që bëri Rama në kabinetin qeverisës?