Festivali Ndërkombëtar “Jazz in Abania” për të tetin vit radhazi sjell pranë publikut artistë nga e gjithë bota. Përgjatë pesë ditëve tetë grupe jazzi nga Franca, Hungaria, Italia, Sllovakia, Izraeli, Turqia , Japonia edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të luajnë muzikë jazz. Organizatorët e këtij festivali Besim Petrela edhe Gent Rushi premtojnë gjatë këtyre koncerteve larmishmëri stilesh edhe individualitetesh artistike, jazz kualitativ, uorkshope, por edhe shkëmbim eksperiencash mes të rinjve.
“Ky edicion është fokusuar jo vetëm në koncertet, që do të zhvillohet, por edhe në uorkshopet që artistët do të zhvillojnë edhe me të rinjtë. Jemi fokusuar edhe në edukimin e brezit të ri me muzikën jazz”, shprehet Besim Petrela, drejtuesi i këtij festivali.
Disa nga emrat e artistëve që do të jenë prezentë janë artistët Mike del Ferro, Enzo Favata, Maxime Bender dhe Mattan Klein.
“Është kënaqësi që të kemi një përfaqësim kaq të gjerë nga pikëpamja gjeografike, me muzikantë, duke filluar që nga lindja e largët, deri në Shtetet e bashkuara të Amerikës”, shprehet kompozitori Gent Rushi.
Koncertet do të zhvillohen në sallën e koncerteve “Tonin Harapi”, tek Liceu Artistik dhe në sallën “Blax Box” të Universitetit të Arteve nga data 08 deri në 12 Tetor.