Festivali ndërkombëtar i xhazit, për herë të 13-të në Tiranë! Koncerte me muzikantë nga gjithë bota dhe masterclass-e

26 Tetor, 14:04| Përditesimi: 26 Tetor, 17:04

  • Share

Muzikantë nga Franca, Polonia, Spanja, Italia dhe Shqipëria janë pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Xhazit që po mbahet në Tiranë gjatë këtyre ditëve.

I konceptuar si një Festival që sjell muzikën Jazz në Tiranë dhe çon Jazz-in shqiptar në botë, tashmë i kthyer në traditë, festivali synon gjithashtu mbështetjen dhe nxitjen e krijmtarisë jazz nga artistë shqiptarë.

“E veçanta këtë vit janë stilet muzikore shumë të ndryshme. Janë 6 koncerte në 3 net, që muzikalisht janë shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Për shqiptarët vjen AJS Quartet, tashmë i afirmuar si bendi shqiptar i xhazit që udhëton më tepër nëpër botë, si dhe një koncert nga Eron Gjura trio”, thotë Gent Rushi, drejtori artistik i festivalit.

Festivali ka si qëllim, që jo vetëm të sjellë muzikantë por në bashkëpunim me UA zhvillohen edhe masterclass-e, siç është ai i zhvilluar me  një nga liderët e muzikës jazz në Greqi, saksofonistin Dimitrios Vassilakis.

Organizator i Festivalit Ndërkombëtar të Jazzit në Rhodos në Greqi dhe profesor i xhazit që nga viti 2017 në Universitetin Kapodistria në Athinë, për Vassilakis është hera e parë që ndodhet në Tiranë.

“Disa nga studentët e mi më të mirë në Greqi, të cilët janë interpretues shumë të mirë të xhazit janë shqiptarë. Skena muzikore e xhazit në Shqipëri është e njëjtë me atë në Greqi. Ne jemi të dy vende të vegjël por me talente të mëdhenj. Pata mundësinë të dëgjoja dhe njihja disa muzikantë shumë të talentuar shqiptarë, studentë dhe mësues me të cilët folëm më së shumti për improvizimin në xhaz. Një gjë tjetër që po bëjmë është një kërkim në fushën e xhazit dhe inteligjencën artificiale.”

Ai vëren se një muzikant xhazi duhet të jetë një rrëfimtar shumë i mirë dhe një lloj aktori dhe pikërisht mbi këta elemtentë punohet edhe me inteligjencën artificiale në fushën e xhazit.

“Ne kemi një bazë të dhënash dhe përmes këtyre kërkimeve. Në nëntor 2022 ishim në gjendje të sillnim një robot, robotin Simon nga Universiteti Teknologjik i Georgia-s në Atlanta, që interpretonte në marimba me katër duar. Është interesante se si mund të përdorim inteligjencën artificiale, për të bërë gjëra të caktuara dhe mund të futemi më thellë në kreatitivietin njerëzor.”

Megjithatë, ai pohon se gjëja më e vështirë për inteligjencën artificiale është të luajë solo muzikë xhaz, gjë që do të thotë krahas të tjerash, se pavarësisht arritjeve, një robot nuk mund të zëvendësojë kurrë ndjeshmërinë e qenies njerëzore.

Festivali Ndërkombëtar i Xhazit në Shqipëri organizohet nga Organizata Shqiptare e Xhazit dhe shënon këtë vit edicionin e tij të 13-të.

G.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?