Kultura

Festivali Tirana 100 Folk vjen në edicionin e pestë, këngëtari Rik Buneci: Këngën e trashëgova nga ashikët e mëdhenj

16 Qershor 2021, 21:18| Përditesimi: 16 Qershor 2021, 21:36

  • Share

Festivali Tirana 100 Folk vjen në edicionin e pestë të tij me muzikën më të mirë tiranase të interpretuar nga mjeshtrat e ahengut të ansamblit Tirana-Tirona Allstars.  

Edit Pula, Këshilltarja e Kulturës në Bashkinë e Tiranës dhe  Drejtore e Projektit dhe Programacionit rrëfen risitë e festivalit që ajo drejton prej pesë vitesh, ku marrin pjesë grupet muzikore më të mira të vendit e më gjerë.  

"Që në fillim kam ndjekur qasjen për të promovuar populloren te audienca e re dhe bashkëkohoren te audienca e vjetër dhe kjo është filozofia dhe qasja e po ashtu edhe risia, sepse një festival që është multidisiplinar dhe krijon këtë lloj programi dhe ka si fokus audiencën. Festivali do vijojë deri me datë 24. Ka 120 artisë nga të gjitha trevat shqiptare, por edhe ndërkombëtare, një përzierje shumë specifike midis grupeve dhe artistëve", tha Pula.

Mbrëmjen e kësaj të marte është promovuar Albumi muzikor “Tirana 100” realizuar nga grupi “Tirana-Tirona All Stars” me mbështetjen ekskluzive të Bashkisë së Tiranës në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të kryeqytetit.  

Ky album ka korrur suksese të njëpasnjëshme në arenën muzikore ndërkombëtare, të cilin revista prestigjioze britanike “Songlines”, në përzgjedhjen muzikore të vitit Top of the World, e ka renditur albumin me këngët më të mira tiranase dhe të Shqipërisë së Mesme të shekullit në “Best of  Neë  Productions”.  Këngëtari i njohur Rik Buneci është i emocionuar për këtë vlerësim të trashëgimisë së Tiranës. 

"Tirona ka pas burra zotërinj se këndonin, është merita e tyre që na kanë lënë këto këngë. Unë jam më i vjetri dhe i kam këngët origjinale", u shpreh ai.

Prezantuan albumin live  mjeshtrat e ahengut, Rik Buneci, Xhemal Kodra( Moli),  Moli i Ganiut dhe artistë të talentuar pjesë të Ansamblit Shtetëror si këngëtarja Iris Bega, lahuteri Adriatik Çelmeta dhe Neki Kastrati në dajre, por edhe multi-instrumentistë të talentuar si Artur Yzeiri në lahutë, Pëllumb Meta në tarabuk dhe Gentian Muhaxhiri në kotrabas.  Këta mjeshtër të muzikës tiranase dhe Hekuran Xambali, Refail Caka dhe talente e reja, si violinisti Eraldo Feto, Dritan Hekurani në kontrabas e prezantuan dhe promovuan këtë album folklorik duke marrë duartrokitjet e zjarrta dhe emocionet e publikut.   

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?