Dita e Ujit të Bekuar kremton pagëzimin e Krishtit dhe kjo festohet nga besimtarët ortodoksë çdo 6 janar përmes ritualit të hedhjes së kryqit në ujë. Kryqi duhet të kapet nga besimtarët i cili simbolizon pastrimin dhe ndriçimin e tyre. Në vendin tonë hedhja e kryqit festohet nga besimtarët ortodoks në Durrës, Berat, Gjirokastër, Sarandë, Korçë dhe Fier.
6 Janari në qytetin e Beratit përcillet çdo vit si një festë e madhe për të gjithë besimtarët ortodoksë. Kryqi hidhet në lumin Osum të qytetit, ndërsa këtë vit është kapur nga 26-vjeçari Pirenc Zharra, nga Gorica. Ceremonia filloi në Kishën e Shën Dhimitrit, ku u kryen të gjitha ritet fetare nga At Johan Qako dhe me kryqin në dorë dhe nën goditjen e kambanave të Kishës iu drejtua lumit Osum ku u hodh kryqi. 7 të rinj nga të gjitha lagjet e qytetit të Beratit u hodhën në ujin e ftohtë të lumit dhe u kap nga 26-vjeçari.
Në Korçë pas meshës së mbajtur në Katedralen Ngjallja e Krishtit, klerikët të udhëhequr nga Mitropoliti Imzot Joani dhe të ndjekur nga qindra besimtarë, janë ndalur në shatërvanin tek Lulishtja Vangjush Mio ku është zhvilluar ceremonia e hedhjes së kryqit. Dhjetëra të rinj janë munduar ta kapin pasi gjetja e Kryqit do të thotë shëndet dhe mbarësi për të gjithë vitin. Ka qenë 38 vjeçari Olger Tona i cili ka arritur të kapë Kryqin duke përcjellë urimin për shëndet e mbarësi për të gjithë.
Edhe në Sarandë ceremonia nisi me meshën në Kishë e Shën Harallambit dhe është drejtuar nga Mitropoliti i Gjirokastrës Dhimitri. Më pas besimtarët iu drejtuan bregdetit në Shëtitore, ku kryqi u kap nga i riu Telemak Papas.
Ceremonia e Ujit të Bekuar në Fier u zhvillua në kishën e Shën Gjergjit, ndërsa kryqi është hedhur në shatërvanin e Sheshit Europa. Ka qene 18-vjeçari Athanas Davidi ai që ka nxjerre kryqin nga uji për të 7 vit rradhazi.
Në Elbasan ritet fetare kryesuar nga Metropoliti Imzot Andoni, ndërsa hedhja e kryqit u bë në një nga pishinat e qytetit. Kryqi u kap nga 17-vjeçari nga Shtërmeni, Joan Belshaku. I emocionuar I riu pohoi se kjo ishte hera e parë që bëhej pjesë e një rituali të tillë që shënjon ditën e pagëzimit të Krishtit.
Edhe në Gjirokastër e Vlorë u bë hedhja e kryqit në ujë. Në Vlorë dy te rinj kane sfiduar njeri-tjetrin për të kapur kryqin ne det, ku e ka marrë Kristi Komini.
Çfarë është dita e Ujit të Bekuar? Ne moshën 30 vjeçare, Krishti, Biri dhe Fjala e Perëndisë, u shfaq mbi ujërat e lumit Jordan, që të pagëzohet nga Joani Pararendësi dhe Pagëzor. Dhe Jezusi, sapo u pagëzua, qiejtë u hapën, dhe një zë nga qielli tha: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur” shkruhet në ungjill. Dhe këtu e ka zanafillën besimi se uji i bekuar është mjet pastrimi i shpirtit të mëkatarit ndaj dhe çdo datë 6 janar besimtarët ortodokse bëhen pjesë e ritualit të Ditës së Ujit të Bekuar. Në këtë ditë të shenjtë, uji bëhet ikona e hirit të padukshëm të Perëndisë, që me anë të ujit dhe të Shpirtit i rilind, i pastron, i shenjtëron dhe i ndriçon njerëzit besimtarë në Krishtin.