Ngjarja tragjike e 29 shtatorit 1946 në Nikaj Mërtur, ku komunistët kishin urdhëruar gjithë burrat e krahinës nga 16 deri në 70 vjeç për tu mbledhur tek Kodra e Bekë Selimit me qëllim që ti detyronin të dorëzonin armët.
E për ta mbërritur këtë qëllim,në atë takim do të bëhej një masakër. Ajo ditë ishte një ditë e shënuar për banorët e zonës, ishte dita e Shën Mëhillit, dhe kjo ditë, në këtë vit të dytë të regjimit komunist, do të shndërrohej në një ditë masakre dhe terrori. Prej atëherë, banorët e zonës e quajnë këtë ditë si “Shën Mëhilli i përgjakur”.
Të mbledhur në një vend, 2000 burra e djem të rinj të zonës, ishin rrethuar nga forcat e armatosura komuniste, dhe nën kërcënimin e armëve, ata do të bëheshin dëshmitarë të pushkatimit të dy prej burrave më trima të asaj krahine,
Fetë Sadiku dhe Ukë Çuni. Të dy do të pushkatoheshin aty, mes 2000 burrave, duke demonstruar anën më terroriste të regjimit me qëllim nënshtrimin e këtyre zonave rebele që nuk e pranonin vendosjen e pushtetit komunist.