Një automjet u përfshi nga flakët pasditen e sotme në vendin e quajtur “Kthesa e Fratarit” përgjatë aksit kombëtar Levan-Tepelenë. Në të po udhëtonte një familje një çift bashkëshortësh dhe dy fëmijët e tyre të vegjël.
Drejtuesi dëgjoi një zhurmë të fortë në pjesën e poshtme të mjetit dhe ndaloi menjëherë në anë të rrugës. Menjëherë nxori jashtë mjetit bashkëshorten dhe fëmijët, vetëm pak çaste para se automjeti të përfshihej totalisht nga flakët.
Zjarrfikësja ndërhyri në kohë, duke bërë të mundur shuarjen e zjarrit, por automjeti u shkrumbua totalisht. Për disa minuta, rruga kombëtare u bllokua, duke krijuar trafik të rënduar dhe panik te drejtuesit e tjerë të mjeteve.
Dyshohet se zjarri u shkaktua nga një defekt teknik, por grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Falë gjakftohtësisë së shoferit, u shmang një tragjedi e mundshme dhe familja shpëtoi mrekullisht pa asnjë lëndim.
Komente
