305 persona iu drejtuan Gjykatës së Fierit me kërkesë për urdhër mbrojtje gjatë vitit 2023. Shifër kjo 30 për qind më e lartë se në 2022-shin. Janë kryesisht gra të dhunuara nga burrat, por jo vetëm. Gjithnjë e më shumë shfaqen prindërit e moshuar që kërkojnë të mbrohen nga fëmijët dhunues.
“Fakti që ka rritje me 30 për qind nga viti 2022 në vitin 2023 tregon se sa shqetësues është bërë ky fenomen. Kërkesat për urdhër mbrojtje në vitin 2022 kanë qenë 275, të drejtuara nga gjykata e juridiksionit të shkallës së parë Fier, ku numri e madh e zë qyteti i Fierit më pas zonat e tjera. Për 2023 kemi 305 raste me urdhër. Një fakt tjetër është se ka rënë përkujdesja kundrejt prindit. Kemi raste që vijnë prindërit dhe thonë se dhunohen nga fëmijët, ju marrin pensionin”, tha Kastriot Dyrmishaj, avokat.
Dhuna në rritje po tregon krizën e familjes që vjen si pasojë e mungesës së të ardhurave në familje, alkooli dhe bizhozi dhe në raste më të rralla xhelozia në çift. Avokati Kastriot Dyrmishaj, tregon se në disa raste gratë e dhunuara kërkojnë të tërhiqen nga denoncimi.
“Gratë bëjnë kërkesën për urdhër mbrojtje dhe pse pas 3 ditësh pendohen. Mirëpo është një kërkesë që nuk është me dorëheqje. Një nga shkaqet janë shkaqet ekonomike. Nuk anashkalojmë veset e seksit mashkull që abuzojnë me lojëra fati, të alkoolizuar. Fare të pakta janë xhelozitë”.- tha avokati.
Megjithatë avokati thekson se nuk kanë munguar rastet e abuzimeve me qëllim marrjen e mbështetjes financiare nga shteti.
“Një fenomen shqetësues është se kemi raste që i drejtohen policisë me kërkesë për urdhër mbrojtje, dhe dhunuesi që pretendohet se ka ushtruar dhunë, nuk është në dijeni se ndaj tij po zhvillohet një proces gjyqësor”.- u shpreh avokati.