Fier- Kur kanë kaluar 24 orë nga dhunimi barbar i çiftit të bashkëshortëve të moshuar Rustemi në Povelçë të Fierit dhe pas arrestimit dje (13 Tetor) të agresorit të dyshuar Ilir (Ledjan) Nukja, me precedentë të mëparshëm penalë dhe i dënuar për tentativë vrasjeje, familjarë dhe bashkëfshatarë janë ende të tronditur.
Gjithashtu të befasuar, pasi nuk e kuptonin dot motivin e sulmit ndaj dy të moshuarve që përpiqeshin të siguronin të ardhura për mbijetesë me dyqanin e tyre që kishin hapur pranë shtëpisë.
Paraprakisht si motiv shihet gjendja tejet e dehur e agresorit në momentin e ngjarjes dhe refuzimi për t’i dhënë birra nga pronari i dyqanit, 80-vjeçari Namik Rustemi, që mori edhe plagë me të rënda dhe po trajtohet në spital.
Nusja e djalit thotë për Report TV dhe Shqiptarja.com se “nuk kishin konflikte” me të dyshuarin dhe se nuk e kuptonte se “ç’e gjeti që shkoi te dy pleqtë”. Ajo shtoi se Nukaj ka qenë person problematik, por nuk kishte konflikte me të moshuarit.
“Ne ishim në punë dhe na morën në telefon. Na thanë se e ka shtypur makina, na e thanë për të mos u tronditur më shumë. Erdhëm menjëherë nga puna këtu dhe e gjetëm dhe na thanë se e ka goditur një person. Për motivin nuk e di, sepse vjehrra ishte kur ndodhi ngjarja. Thoshin se ishte i pirë, ishte i dehur.
E pyetur nëse ka pasur konflikte me personin agresor, nusja e djalit të çiftit e mohon, duke u shprehur vetëm me një “Jo”. teksa shton:
“Ai ka pasur, ka qenë problematik thonë, por me këta pleqtë (vjehrrin dhe vjehrrën) jo. Po ç’e shtyti që vajti te pleqëria thoj. Ata ishin në punë të tyre, në hall të tyre. Të dy punonin te dyqani, djalin tjetër e kishin në emigrim, ne jemi të ndarë në shtëpitë tona. Kanë 3 çuna dhe një çupë”
Në dëshminë e saj për media gjitonia e të moshuarve tregon se fillimisht dëgjoi zhurmë dhe doli menjëherë për të parë se ç’po ndodhte.
“Unë jam fqinje e tyre. Pashë vetëm atë (burrin) e shtrirë. Dëgjova vetëm atë (gruan) që po bërtiste. Ai ishte më rëndë, nuk pashë më shumë se u futa menjëherë brenda. Erdhi policia dhe ambulanca dhe iu dha ndihma”, shprehet një banore e lagjes, fqinje e çiftit të moshuar.
Dyert e dyqanit ushqimor vijojnë të jenë të mbyllura, ndërsa i moshuari Namik Rustemi, vijon të mbetet në intubim në Spitalin Rajonal të Fierit , ndërsa bashkëshortja e tij nën kujdesin e mjekëve.