FIER- Shaqir Sulejmanaj dhe bashkëshortja e tij e paralizuar Selfixhe Sulejmanaj i shpëtuan aktit barbar të djalit, i cili tentoi t’i djegë në banesë. Report Tv solli pamje nga momenti kur forcat e policisë dhe ato zjarrfikëse shpëtuan nga flakët 74-vjeçarin, ndërsa me vështirësi arritën të nxjerrin me barrelë 67-vjeçaren e paralizuar. Ngjarja e rëndë u shënua në lagjen ‘15 Tetori’ të Fierit rreth orës 21:00 të 23 tetorit 2024.
Çifti i moshuar kaloi natën në spital për shkak të asfiksimit nga tymi. Mjekët thanë se sot gjendja e tyre fizike paraqitet e mirë, por janë të renduar emocionalisht.
Policia e Fierit njoftoi se ka vënë në pranga Altjon Sulejmanaj, 42-vjeç, i cili pasi ka dhunuar prindërit i ka vënë flakën banesës me benzinë dhe ka mbyllur dyert. Fqinjët që iu shpëtuan jetën rrëfejnë se i moshuari kërkonte ndihmë në dritare.
" Doli ai plaku në kat të katërt. Po bërtiste ndihmë. Hipëm lart por dera ishte e blinduar e nuk hapej. Kish çelësin fqinja. Na dha çelësin dhe e hapëm. Më pas erdhi zjarrfikësja. Ishte zjarr i madh, panik, po i vinte në dhomë, thotë një fqinj që ndihmoi ciftin.
U futa mes zjarrit. Mu dogj shtëpia më tha. Vajta e nxorra zonjën me ndihmën e zjarrfikësve' thotë një tjetër.
Ata e përshkuajnë autorin si person me probleme mendore, por policia thotë se do t’i nënshtrohet ekspertizës nga psikiatri, pasi 42-vjeçari nuk kishte kartelë dhe nuk trajtohej me mendikamente.
“Në banesë gjendeshin burrë e grua. Gruaja ishte e paralizuar. Vetëm jetonin me atë djalin e sëmurë. Gruaja ka 4-5 vite e paralizuar, e nxorën me barrelë. Pyeta njerëzit këtu dhe thanë ia ka vënë zjarrin Tani (i biri). Ishte me probleme ai”, thonë banorët.
Altjon Sulejmanaj, i cili para dy vitesh ishte dënuar për djegien e nje lokali ne Fier, sot akuzohet për 'vrasje të mbetur në tentativë", 'dhunë në familje' dhe 'shkatërrim prone' Të moshuarit do të qëndrojnë në spital derisa të gjendet një zgjidhje për strehimin e tyre, pasi banesa është shkatërruar plotësisht.
Përpos djalit që tentoi t’i vriste, ata kanë dhe një vajze të martuar.