Fier- Tetë persona janë marrë nën hetim gjatë 24 orëve të fundit në qarkun e Fierit, të dyshuar për vepra të ndryshme penale, si mbajtje droge, përndjekje, aksident, kanosje dhe dhunë në familje.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve referoi materialet në Prokurori dhe procedoi 21-vjeçarin O. L., banues në Lushnjë, pasi nga kontrolli fizik iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi e vogël hashashi.
Policia Rrugore bëri me dije se nisi hetimet penale ndaj K. S., 32 vjeç, banues në Durrës, pasi ditën e djeshme, në lagjen "Apollonia", me automjetin që drejtonte ka përplasur këmbësoren E. Dh., 57 vjeçe, e cila aktualisht është në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu kanë nisur procedimet për tre raste dhune. Në Patos u proceduan P. O., 57 vjeç dhe Xh. O., 29 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta kanë goditur me grushte, një 60-vjeçar. Kurse në Lushnjë u hetua B. M., 45 vjeç, që akuzohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj djalit të tij 17 vjeç dhe E. P., 38 vjeç, banues në Peqin, pasi dyshohet se ka kanosur nëpërmjet mesazheve në celular, bashkëshorten e tij.
Procedimi i fundit është ndërmarrë ndaj dy personave në konflikt ligjor, M. Gj., 37 vjeç, me detyrë përmbarues gjyqësor, dhe shtetasja E. D., 59 vjeçe, sepse kjo e fundit pretendon se përmbaruesi nuk ka kryer veprimet e nevojshme për ekzekutimin e një vendimi gjykate rreth takimeve me fëmijët e saj.