Fier/ Ekzekutoi 50-vjeçarin në sy të bashkëshortes, arrest me burg për Fatmir Hoxhajn: Jam i pafajshëm (VIDEO)

18 Nëntor 2020, 10:09| Përditesimi: 18 Nëntor 2020, 14:29

  • Share

FIER - Gjykata dha masën e sigurisë arrest me burg për Fatmir Hoxhën, i arrestuar për ekzekutimin e 50-vjeçarit Ahmet Toska në Fier.

Fatmiri ka mbërritur në Gjykatën e Fierit ku tek dera e kanë pritur familjarët. Disa prej tyre kanë ardhur madje nga Italia për të mbështetur Fatmirin.

Pas daljes nga gjykata ai ka deklaruar se është i pafajshëm.

Hoxhaj akuzohet për ekzekutimin e 50-vjeçarit në Fier, në lagjen "Sheq i Madh", ngjarje e ndodhur në 26 tetor të këtij viti në orën 06:00.

Toska po shoqëronte bashkëshorten për në punë ku një person i maskuar i është afruar dhe e ka ekzekutuar me plumb në kokë.

Viktima Ahmet Toska dhe vendi ku u ekzekutua

Fatmir Hoxhaj u arrestua më 14 nëntor në aeroportin e Rinasit, teksa është kthyer nga Italia ku qëndronte prej disa ditësh.

Ndërkohë tre ditë pas krimit ai është larguar nga Shqipëria duke udhëtuar në drejtim të Italisë. Burimet thanë për “Shqiptarja.com” se shkak i vrasjes besohet se është krijuar bashkëjetesa që Toska dhe autori i krimit Fatmir Hoxhaj, kanë pasur me të njëjtën femër.

I pari ka bashkëjetuar Ahmet Toska e më pas Hoxhaj, gjë e cila ka sjellë disa konflikte, duke çuar deri në vrasjen me një plumb në kokë të 50 vjeçarit.

Besohet se Hoxhaj, kishte ngritur dyshime se lidhja intime mes Ahmet Toskës dhe bashkëjetueses së tij, vijonte në fshehtësi.

Autori i dyshuar Fatmir Hoxhaj

Ora 11:58
Avokatja e Fatmir Hoxhajt: Duhej dhënë masë më e butë, nuk kishte prova të mjaftueshme! Prokuroria paraqiti disa kamera sigurie të lagjes (VIDEO)

Avokatja e Fatmir Hoxhajt, Rovena Marku thotë për Report Tv se masa e sigurisë nuk ishte e drejtë pasi provat nuk ishin të forta për të çuar në këtë vendim.

Ajo thotë se duhet të ishte vendosur një masë më e butë, detyrim paraqitje ose arrest shtëpie.

Gjithashtu avokatja ka zbuluar dhe disa prej provave që janë paraqitur nga prokuroria siç ishin disa pamje filmike në lagjen rreth banesës së tij.

Edhe disa grimca nitrati të mbetura në rrobat e Fatmir Hoxhajt janë paraqitur si provë.

"Unë u caktova kryesisht pasi isha avokate në gatishmëri sot. Për mua, ne kërkuam që të vendosej një masë tjetër më e butë për shkak se sipas mendimit tonë nuk kishte prova që të formulohej dyshimi i arsyeshëm. Ne kërkuam arrest në shtëpi ose detyrim paraqitje. Nga prokuroria ishin paraqitur kamerat e sigurisë në lagje që ishin marrë nga pika të ndyshme. Kishte disa mbetje nitrati që kishin ngelur në rrobat e të pandehurit. Vetëm disa grimca nitrati, pa u qartësuar këto, për mendimin tonë nuk përbënin dyshim të arsyeshëm. Vetë i pandehuri ka deklaruar se është i pafajshëm. Ka patur një alibi, por për shkak të ngarkesës së tij emocionale nuk mundi të rendiste këto prova. Me aq sa dha gjatë kësaj çështje, ai kishte shkuar me bashkëshorten në Itali, kishte marrë dijeni që policia kishte shkuar për kontroll në banesën e tij dhe për këtë arsye u kthye vetë në Shqipëri. Ai është shprehur përgjatë seancës se është vetëdorëzuar" - tha avokatja Marku.

Ora 11:00
Vrau Ahmet Toskën në Fier, vendoset arrest me burg për Fatmir Hoxhën: Atë ditë jam ngritur në orën 8 të mëngjesit (VIDEO)

Është caktuar masa e sigurisë arrest me burg për Fatmir Hoxhën, autorin e akuzuar për vrasjen Ahmet Toskës.

Pasi mbaroi seanca gjyqësore ai i është përgjigjur interesit të gazetarëve ku është shprehur se është i pafajshëm.

Ai thotë se ditën e ngjarjes është ngritur në orën 08:00 ndërsa ekzekutimi i 50-vjeçarit u regjistrua në orën 06:00.

E.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?