Fier- Kishte përshtatur lokalin për veprimtarinë kriminale në fushën e narkotikëve, shpallet në kërkim pronari i lokalit, Sokol Osmëni dhe arrestohet 42-vjeçarja që ishte punësuar si kameriere dhe banakiere.
Në kuadër të operacionit të koduar "Drugs", Policia e Fierit njoftoi sot (8 Dhjetor) se i vuri pranga të dyshuarës Marinela Kita, se shiste drogën në lokalin ku u krye ndërhyrja.
Gjithashtu u procedua edhe një 30 vjeçar, kushëriri i pronarit të lokalit, pasi gjatë kontrollit ju gjetën 13000 euro të dyshuara të përfituara nga veprimtaria kriminale.
“E punësuar si kameriere dhe banakiere në një lokal në lagjen "1 Maji", Fier, kjo shtetase u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë dhe nga kontrolli fizik iu gjet dhe sekuestrua një sasi e lëndës së dyshuar narkotike cannabis sativa”, tha policia.
42-vjeçarja u arrestua për veprën penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
“Nga kontrolli i lokalit u gjetën mbetje të lëndës narkotike cannabis sativa që dyshohet se ishte konsumuar nga klientë të ndryshëm të lokalit”, sqarohet më tej.
Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim për veprën penale “përshtatja e lokalit për përdorim droge”, pronari i lokalit, shtetasi S. O., 43 vjeç, banues në Fier.
Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “pastri i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, shtetasi M. O., 30 vjeç, banues në Fier, pasi nga kontrolli i automjetit të parkuar në lokal, iu gjetën dhe sekuestruan një sasi parash prej 13000 euro cash, të cilat dyshohet t’i ketë përfituar nga kjo veprimtari kriminale.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, paratë, 1 automjet, 1 grirëse dhe 3 celularë. Teksa vijon puna për kapjen e pronarit të lokalit dhe dokumentimi i plotë ligjor i kësaj veprimtarie kriminale.