FIER- 26-vjeçarja Emalinda Rama e dyshuar për vrasjen makabre të babait të saj, Anesti Rama si dhe nëna, e dyshuar si bashkëpunëtore në krim, kanë ndryshuar disa herë dëshmitë mbi ngjarjen. Për avokatin e caktuar kryesisht nga shteti, Kastriot Durmishi, nënë e bijë kanë probleme mendore, ndaj kërkon vlerësim psikiatrik.
“Kam kërkuar që të dyja të shtrohen për ekzaminim psikiatrik,” – deklaroi avokati Durmishi.
Në një deklaratë për mediat pas seancës së masës së sigurisë në Gjykatën e Fierit, avokati Durmishi theksoi se gjatë katër ditëve të marrjes në pyetje, të dyja të arrestuarat kanë dhënë dëshmi kontradiktore, duke treguar paqëndrueshmëri në deklarime dhe përpjekje për të fshehur të vërtetën.
“Versionet e dhëna nga nënë e bijë kanë ndryshuar disa herë. Fillimisht e kanë pranuar krimin, më pas janë tërhequr dhe sot deklarojnë se nuk kanë dijeni fare për autorësinë. Këto kontradikta, sipas meje, nuk janë thjesht mbrojtje e zakonshme ligjore, por sinjal për një gjendje të rënduar emocionale dhe mendore”, tha ai.
Gjatë seancës së sotme për masën e sigurisë, Emalinda Rama mohoi çdo përfshirje në vrasje. Ajo pretendoi se e ka gjetur të atin pa jetë në banesë. Ndërsa, i arrestuari i tretë, Çlirim Dogani ka deklaruar se nuk kishte asnjë lidhje me nënë e bijë, përveç faktit se e njihte si pasagjere, pasi kishin udhëtuar shpesh me autobusin e tij.
Pavarësisht dëshmive, gjykata vendosi “arrest me burg” për të tre të dyshuarit. Ndaj Emalinda Ramës rëndon akuza e vrasjes me dashje, Valbona Rama si bashkëpunëtore dhe fshehje te krimit dhe Çlirim Dogani, për bashkëpunim në krim.
Priten analizat e ADN-së për të përcaktuar saktësisht rolin e secilit të dyshuar në këtë ngjarje të rëndë kriminale.


Komente
