FIER - Policia i ka shpallur luftë ndotjes së lumit të Gjanicës, një fenomen i përsëritur në këtë qytet. Pas ndalimit të drejtuesve teknikë të dy kompanive private sot u vu në pranga një punonjës i një tjetër kompanie private.
Gjergji Pambuku punonjës i sektorit të pastrimit të kompanisë u arrestua ndërsa u proceduan penalisht administratori i kësaj kompanie dhe përgjegjësi i sektorit të pastrimit në këtë kompani.
Pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore se një tjetër kompani me aktivitet në përpunimin e hidrokarbureve, shkarkonte mbetje në lumë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendin e quajtur "Ish-UPN", Fier, ku kanë kapur në flagrancë shtetasin Pambukun, punonjës i sektorit të pastrimit të kompanisë duke shkarkuar mbetjet e hidrokarbureve.
U proceduan penalisht shtetasit Shaban Guni., 64 vjeç, administrator i kompanisë private dhe Met Backa, 65 vjeç, përgjegjës i sektorit të pastrimit në këtë kompani.
“Këta shtetas, nëpërmjet aktivitetit të tyre në fushën e hidrokarbureve, kanë ndotur ujërat e lumit Gjanica, pasi kanë shkarkuar aty, mbetjet e këtyre lëndëve, duke shkaktuar prishjen e sistemit ekologjik të lumit” informoi sot policia.
Prokuroria po I heton për veprime të mëtejshme, për veprën penale "Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës".
Ky është rasti i dytë brenda dy ditësh. Dje Dy drejtues teknikë të kompanisë publike Albpetrol dhe një punonjës i kompanisë së nxjerrjes së naftës, Terra Oil, po hetohen nga policia e Fierit për shkarkimet e naftës që ndotën lumin Gjanica këtë javë.