Prokuroria e Fierit ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim 60-vjeçarin Shpëtim Lazaj i cili akuzohet se ka ngacmuar seksualisht një vajzë të mitur.
Ngjarja ka ndodhur më 1 prill 2025, kohë kur organi i akuzës thotë se e ka të provuar që 60-vjeçari preku të miturën në pjesë të ndryshme të trupit si dhe i dhuroi para për të shkëmbyer puthje intime me të.
Pas ngacmimit, vajza e mitur njoftoi mësuesen kujdestare dhe së bashku me shërbimin social, denoncuan rastin në polici.
Njoftimi i Prokurorisë së Fierit:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin Sh.L. për veprën penale ‘Ngacmim seksual’ parashikuar nga neni 108/a, pg.2 i Kodit Penal.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr.415, datë 01.04.2025, u provua se shtetasi Sh.L., ka kryer veprime konkrete të natyrës seksuale në dëm të të miturës, duke konsumuar elementët e veprës penale “Ngacmimi seksual”, parashikuar nga neni 108/a pg.2 i Kodit Penal.
Nga tërësia e hetimeve të kryera rezultoi se personi nën hetim Sh.L. me veprime aktive të kundraligjshme, konkretisht prekje në pjesë të ndryshme të trupit, ka cenuar dinjitetin e të miturës duke përfituar nga mosha e re dhe gjendja e saj sociale. Personi i pandehur Sh.L., i ka dhuruar para si dhe ka kërkuar të shkëmbejë puthje intime me të. E mitura pas ngacmimit ka kontaktuar mësuesen e saj kujdestare, e cila në bashkëpunim me shërbimin social përkatës ka referuar rastin në polici.
I pandehuri Sh.L është hetuar me masën e sigurimit personal “Arrest në burg”.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin e shpejtë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale që cënojnë apo dëmtojnë mirëqënien dhe zhvillimin normal të të miturve. Gjithashtu, inkurajon bashkërendimin e strukturave bazë si mësuesit, psikologët e shkollave dhe shërbimet sociale pranë bashkive me qëllim identifikimin e rasteve dhe vënien e përgjegjësve para ligjit.
Komente
