Fundi i gushtit e gjen me pushues të shumtë plazhin e Darëzezës në Fier. Deti është i pastër, rëra kurative dhe çmimet shumë të arsyeshme. Janë kryesisht vendasit që e frekuentojnë këtë plazh, emigrantët dhe të huajt që kanë lidhje familjare, siç është rasti I kësaj vajze italiane që ka ardhur me bashkëshortin shqiptar.
“Jam këtu me bashkëshortin dhe miqtë. Shqipëria është e bukur, deti gjithashtu. Mund të konsumosh ushqime të shijshme dhe me çmim të lirë. Njerëzit janë me edukatë dhe të sjellshëm. Është hera e tretë që vij këtu dhe sigurisht që do të rikthehem sërish”, shprehet ajo për mikrofonin e Report tv.
Darëzeza është një plazh i virgjër i Adriatikut, ku nuk ka struktura akomoduese, ndaj dhe pushuesit janë ditorë. Këtu mund të gjesh çadra me 200 deri në 500 lek, pije freskuese, kafeteri dhe restorante peshku me çmime të përballueshme.
“Erdhëm për pushime nga Italia. Do qendrojmë 10 ditë jemi të kënaqur, deti i pastër, njerëzit, gatimet shumë të mira, hamë në restorante. Për çmimet nuk qahemi, kur i krahasojmë me ata andej, nuk janë të shtrenjta”, tha një pushues.
Rëra ka veti shëruese dhe terapeutike, duke ofruar një përvojë relaksuese dhe shëndetësore. Për më tepër, uji i pastër i plazhit është një tjetër element tërheqës, që siguron një mjedis të sigurt për fëmijët.
“Uji është i pastër dhe deti shumë i bukur. Unë kam ardhur me prindërit e mi nga Italia për të takuar të afërmit në Fier. Do qendrojmë një javë dhe plazhin e bëjmë çdo ditë këtu”, shprehet një vogëlush.
Përpos plazheve private, Darëzeza ka hapësirë edhe për plazhe publike. I vetmi shqetësim është një segment i pashtruar i rrugës prej 1 km nga pompat në bregdet. Burime nga Bashkia e Fierit thanë se në tetor do të nisë puna për asfaltimin e saj.