Qendrat shëndetësore verore të ngritura për sezonin turistik po përballen me një numër të lartë pacientësh thuajse çdo ditë.
Ditën e sotme Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu ka shpërndarë një video nga qendra shëndetësore verore në plazhin e Darëzezës në Fier.
Në postimin e saj Koçiu thekson se ekipi mjekësor ndodhet në gadishmëri në çdo kohë.
“Mirëmëngjesi nga plazhi i Darëzezës, i cili çdo ditë e më shumë po frekuentohet nga pushues vendas dhe të huaj!
Për të përballuar këtë fluks në rritje dhe për të garantuar sigurinë shëndetësore të pushuesve, Qendra Shëndetësore Verore këtu ashtu si në 35 pika të tjera në vend, është në gatishmëri të plotë për të ofruar ndihmë mjekësore të menjëhershme dhe cilësore gjatë gjithë sezonit turistik”, shkruan Koçiu.
Koçiu thekson gjithashtu se nga data 1 Qershor deri më sot, në Qendrat Verore janë paraqitur 21,862 pushues, nga të cilët 74% janë qytetarë shqiptarë, ndërsa 26% janë turistë të huaj.
Kujtojmë se këto qendra do të vijojnë të jenë në funksion deri më 30 shtator, në shërbim 24 orë, 7 ditë të javës.
Gjatë këtyre ditëve të nxehta mjekët këshillojnë qytetarët që të kujdesen për veten duke zbatuar disa këshilla si: të pijnë shumë ujë, të mos dalin në orët e pikut, të përdorin krem mbrojtës dhe të zgjedhin ushqime të lehta.
Komente
