Fier- Një 37 vjeçar nga Peshtan Bregas, Fier është arrestuar në flagrancë pasi policia i gjeti lëndë narkotike kanabis të ndarë në doza. Ndërkohë në kërkim është shpallur babai i tij 61 vjeç.
Në bazë të kontrolleve të kryera blutë gjetën në makinën e Joni (Ervin) Muçaj sasi të lëndës së dyshuar narkotike kanabis sativa.
Ndërsa në shtëpi përveç kanabis të ndarë në doza gati për shitje policia njofton se gjetën dhe sekuestruan 12 fishekë arme gjahu, 3 gërshërë që shërbenin për të përgatitur (ndarë) lëndën narkotike, një shumë parash prej 2 milionë lekë dhe 700 euro dhe 5 celularë.
Operacioni u kodua Peshtani.
"Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, në kuadër të kontrolleve për parandalimin e shitjes së lëndëve narkotike, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Shqiponja, pas një pune të mirëfilltë policore kanë finalizuar operacionin policor të koduar "Peshtani".
Për këtë rast u arrestua shtetasi J(E). M., 37 vjeç, banues në fshatin Peshtan Bregas, Fier. Gjatë kontrollit fizik dhe të automjetit që ky shtetas drejtonte, shërbimet e Policisë kanë gjetur doza të lëndës së dyshuar narkotike cannabis sativa.
Nga kontrolli i banesës shërbimet e Policisë kanë gjetur një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, e ndarë në qindra doza gati për shitje, 12 fishekë arme gjahu, 3 gërshërë që shërbenin për të përgatitur (ndarë) lëndën narkotike, një shumë parash prej 2 milionë lekë dhe 700 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale bashkë me 5 celularë.
Për këtë rast u shpall në kërkim shtetasi D. M., 61 vjeç, banues në fshatin Peshtan Bregas, babai i shtetasit J(E). M", informoi sot policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.