FIER - Një lokal veror i quajtur "Delfini" është përfshirë nga flakët këtë të diel duke shkaktuar dëme materiale. Zjarri është pikasur fillimisht nga banorë të zonës, dhe kanë lajmëruar menjëherë shërbimet zjarrfikëse.
Për shkak se lokali ishte i ndërtuar me dru, është djegur totalisht brenda disa minutash. Lokali në pronësi të shtetasit A. B, funksiononte prej 5 vitesh gjatë muajve të verës, ndërkohë që dëmi i përllogaritur arrin në 30 milionë lekë të vjetra, ndërsa janë djegur të gjitha pajisjet që ndodheshin brenda ambienteve, 120 shezlongë dhe 60 çadra.
Paraprakisht dyshohet se zjarri ka qenë aksidental pasi sipas banorëve pranë lokalit ka patur vizitorë të cilët kanë kosumuar birra dhe cigare. Në lokalin e mbyllur që nga përfundimi i sezonit, energjia elektrike ishte e ndërprerë. Pritet verifikimi nga ana e grupit hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e kësaj ngjarjeje.
"Rreth orës 18:50, në Darëzezë, ka rënë zjarr në një subjekt tregtar (lokal veror), në pronësi të shtetases M. B., duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe shkakun e rënies së zjarrit.", njofton policia.
Komente
