Kronikë

Fier/ Tentuan të vrisnin nënë e bir, në pranga 66-vjeçari, në kërkim djali

10 Prill, 08:39| Përditesimi: 10 Prill, 12:28

  • Share

FIER-Është arrestuar 66-vjeçari i cili një ditë më parë së bashku me djalin tentuan të vrisnin nënë e bir teksa po lëviznin me motor në Fier. Ndërkohë vijon puna për kapjen e 23-vjeçarit.

Blutë e Fierit bëjnë me dije se kanë sekuestruar një makinë dhe tre celularë të autorëve.

Autorët Afrim dhe Ali Cimili u identifikuan pas dëshmisë së djalit të Suzana Mërnicës e cila u lëndua si pasojë e rënies nga motori.

Ngjarja ndodhi në (9 prill) rreth orës 14:00, në segmentin rrugor Fier-Seman, në degën që lidh këtë aks me rrugën drejt fshatrave Sulaj dhe Hamil. Suzana Mërnica ishte në motomjet, të cilin e drejtonte i biri, duke u kthyer në shtëpinë e tyre në fshatin Sulaj. 

Dyshohet se mes familjeve Mërnica dhe Cimili ka ndodhur një konflikt pronësie 6 muaj më parë. 

Sipas hetimeve, ka qenë tentativë e pastër për vrasje, por plumbat nuk goditën objektivin dhe gruaja plagët i ka marrë pas rënies nga motori.

Njoftimi i policisë

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur më datë 09.04.2025, te mbikalimi i fshatit Dërmenas, ku shtetasit A. C., 66 vjeç dhe A. C., 23 vjeç, babë e bir, të dy banues në këtë fshat, dëmtuan shtetasit H. M., 26 vjeç dhe S. M., 50 vjeçe, nënë e bir, të dy banues në fshatin Sulaj, kanë organizuar punën për nxjerrjen e autorëve përpara përgjegjësisë penale dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore u zbardh dinamika e rastit, si dhe u kap dhe u vu në pranga 66-vjeçari.

Nga këto veprime dyshohet se shtetasit A. C. dhe A. C., për shkak të një konflikti të mëparshëm ndërmjet 23-vjeçarit dhe 26-vjeçarit, kanë qëlluar me armë zjarri, në drejtim të motomjetit me të cilin lëviznin shtetasit H. M. dhe S. M.. Nga të shtënat nuk pati shtetas të dëmtuar. Më pas, 23-vjeçari ka goditur me automjetin me të cilin lëvizte, motomjetin, dhe është larguar nga vendngjarja, së bashku me babanë e tij. Si pasojë e goditjes së motomjetit, janë dëmtuar shtetasit H. M. dhe S. M., të cilët janë në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje janë sekuestruar gëzhoja dhe prova që do t’i shërbejnë hetimit për këtë ngjarje. Gjithashtu, janë sekuestruar njëri prej automjeteve të përdorur prej autorëve dhe 3 celularë.

Vijojnë kërkimet për kapjen e 23-vjeçarit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtjeshme, për veprat penale "Vrasja me paramendim", mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak".

Xh.K/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?