Fier- Prokuroria e Fierit jep pretencën dhe kërkon dënimin me nga 14-18 vite burgim për secilin prej të 3 arrestuarve me mbi 21 kg lëndë eksplozive dy vite më parë, gjatë një aksioni të Policisë.
Kërkesa u bë në Gjykatën e Fierit, gjatë seancës së radhës ditën e sotme (21 korrik). Të pandehurit e dosjes janë Albi Mecini, Ervis Cukali dhe Arafat Manërkolli.
Pasi lexoi konkluzionet e dosjes, organi i akuzës kërkoi 46 vite burgim në total për të dyshuarit.
Aksioni u krye më 28 shtator të vitit 2023 në qytetin e Fierit, pas informacioneve në rrugë operative, ku të dyshuarit u kapën me 21,6 kg lëndë eksplozive.
Albi Mecini është i dyshuar edhe për rrëmbimin dhe zhdukjen pa gjurmë të dy personave në Sarandë, Fatmir Sulovarit dhe Leonard Thodhorit.
Ervis Cukali akuzohet si njeriu që siguroi 21 kg eksploziv dhe që para 9 ditësh u kap në Sarandë nga policia, nw njw ndjekje spektakolare, teksa bashkw me dy shokwt e tij tentoi tw shpwtonte duke u hedhur nw det.
Kërkesa e Prokurorisë Fier:
“Prokuroria pranë Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, kërkon dënimin me 14 deri në 15 vite burgim për secilin prej tre shtetasve A.M., Ar.M. dhe E.C., të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin tentuan të transportonin 21 kg e 265 gr lëndë eksplozive në qytetin e Fierit dy vite më parë.
Shtetasit në fjalë, janë hetuar e gjykuar në kuadër të procedimit penal nr.1070, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, parashikuar nga nenet 278/7 dhe 236/2 të Kodit Penal.
Nga hetimi dhe gjykimi i këtij procedimi penal rezultoi e provuar se, të pandehurit A.M., Ar.M. dhe E.C., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në datë 28.09.2023 kanë poseduar dhe transportuar 21 kg e 265 gr lëndë eksplozive në qytetin e Fierit.
Në diskutimet përfundimtare Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier kërkoi:
1 Deklarimin fajtor të të pandehurit A.M. për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, e parashikuar nga neni 278/6 i K.Penal dhe dënimin e tij me 15 vjet burgim;
- Deklarimin fajtor të të pandehurit A.M. për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” e kryer me dhunë, e parashikuar nga neni 236/2 i K.Penal dhe dënimin e tij 4 vjet me burgim.
- Në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimin e dënimeve dhe dënimin e shtetasit A.M. me 18 vjet burgim.
- Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3 dhe dënimin e tij me 12 vjet burgim.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit E.C. për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, e parashikuar nga neni 278/6 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 14 vjet burgim;
- Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3 dhe dënimin e tij me 9 vjet 4 muaj burgim.
3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Ar.M. për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, e parashikuar nga neni 278/6 i K.Penal dhe dënimin e tij me 14 vjet burgim.
- Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3 dhe dënimin e tij me 9 vjet e 4 muaj burgim.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave që kryejnë vepra penale në fushën e narkotikëve, si dhe që gjatë ushtrimit të detyrës kryejnë veprime në kundërshtim me ligjin".
Komente
