Fier- Gjykata dënon me burgim të përjetshëm Azgan Mërnicën, i arrestuar dhe akuzuar për vrasjen e efektivit të “Shqiponjave” më 13 maj 2024, për shkak se po ushtronte detyrën për udhëtimin e rrezikshëm me mjet nga i pandehuri në rrugët e fshatit Baltëz.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka dhënë sot (30 korrik) vendimin e saj për Azgan Mërnicën, duke e dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e efektivit të Policisë së Shtetit, pjesëtar i forcave speciale “Shqiponja”, Novruz Cenalia.
Në pretencën e 10 korrikut, Prokuroria kërkoi dënimin maksimal për Mërnicën, i cili akuzohej për tre vepra penale: “Vrasje me armë zjarri të punonjësit të policisë”, “armëmbajtje pa leje”, “drejtim të parregullt të mjetit”. Vendimi u dha nga një trup gjyqtarësh e përbërë nga Elira Hroni si kryesuese, Miranda Nakaj dhe Vladimir Çjapi si anëtarë, kurse prokuror ka qenë Denis Hyka.
Ngjarja ndodhi më 13 maj 2024 në fshatin Baltëz të dërmenasit, në Fier. I pandehuri Mërnica ka qenë edhe pjesë e Strukturës së Armatosur të PD-së për mbrojtjen e votës në zgjedhjet e vitit 2021.
Ngjarja e rëndë në Baltëz
Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 maj 2024, rreth orës 13:30, në fshatin Baltëz të Bashkisë Fier. Sipas dosjes hetimore, gjithçka nisi si një konflikt banal. Azgan Mërnica po drejtonte automjetin e tij me shpejtësi të lartë në një kthesë të rrezikshme, kur u ndalua nga efektivi Novruz Cenalia, i cili i tërhoqi vëmendjen për mënyrën e rrezikshme të ngarjes, teksa ishte në detyrë.
Sipas Prokurorisë, pas një debati të ashpër verbal, Mërnica ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar për vdekje efektivin me plumb në kokë. Pas ngjarjes, i akuzuari u kap nga forcat e rendit pas një operacioni 48 orësh dhe negociatash me familjaret e tij.
Vendimi i Gjykatës së Fierit:
“Në datën 30.07.2025, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi së shqyrtuari kërkesa penale me palë:
• KËRKUES:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier: Përfaqësuar nga Prokurori z. Denis Hyka
• I PANDEHUR:
A.M., përfaqësuar në gjykim me avokatin Xhevair Morina, anëtar i Dhomës së Avokatisë Fier
• OBJEKTI:
Gjykimin e procedimit penal që bën fjalë për veprën penale të “Vrasja e punonjësve të policisë së shtetit” parashikuar nga neni 79/b i Kodit Penal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” e parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal, dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” e parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal.
• VIKTIMA:
1. I.A.C. (në mungesë)
2. M.C. (në mungesë)
Në përfundim të gjykimit, zhvilluar në prani të përfaqësuesit të Prokurorisë z. Denis Hyka, në prani të të pandehurit A.M. dhe të avokatit të tij z. Xhevair Morina, në mungesë të viktimës A.C. dhe M.C., Gjykata pasi shqyrtoi në tërësi materialet e çështjes dhe mori në konsideratë provat e marra në seancë gjyqësore, të zhvilluara sipas rregullave të gjykimit të shkurtuar, dëgjoi konkluzionet përfundimtare nga palët, në të cilën u kërkua:
VENDOSI:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit A.M. për kryerjen e veprës penale “Vrasja e punonjësit të policisë së shtetit” parashikuar nga neni 79/b i Kodit Penal, në dëm të punonjësit të policisë së shtetit, viktimës N.C., dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me burgim të përjetshëm.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit A.M. për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278 paragrafi 1 i Kodit Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 7 (shtatë) vjet burgim.
3. Deklarimin fajtor të të pandehurit A.M. për kryerjen e veprës penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, e parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 6 (gjashtë) muaj burgim.
4. Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, me bashkim të dënimeve, dënimin e të pandehurit A.M. me burgim të përjetshëm.
5. Në masën e dënimit të mbahet parasysh edhe periudha e vuajtur në paraburgim nga data e arrestimit të tij më 16.05.2024 ora 01:50 e në vijim. Dënimi me burgim të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.
6. Në bazë të nenit 190, pika 1, germa “b”, të K.Pr. Penale, provat materiale të sekuestruara (……………….)…
7. Në aplikim të nenit 393 të K.Pr. Penale, shpenzimet proceduriale, në fazën e hetimeve paraprake si dhe ato gjyqësore, i ngarkohen të pandehurit A.M.
8. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, brenda 15 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.
U shpall në Fier, sot më datë 30.07.2025.
GJYQTARËT:
-Elira Hroni
-Miranda Nakaj
-Vladimir Çjapi”.
Komente

Kur beri krimin ky ishte 23 vjec,nese miratohet drafti i ri i kodit penal e duke marre per baze dhe kohen e paraburgimit,i bie qe ky pas 35 vjetesh,pra kur te jete bere 58-60 vjec,ka per te kerkuar e ndoshta fituar lirine me kusht,sepse ideatoret e draftit mendojne qe ky mund te ndryshoje,te reabilitohet!! S.d.q,me ben pershtypje deklarata me cilesi te dobet profesionale qe ka perpiluar gjykata per mediat,kur shenon me iniciale emrat e viktimes e vrasesit.Perse gjithe ky /sekret/kur tashme nga kjo ceshtje nuk ka me sekrete?!
PërgjigjuPak e ka dhe kaq.. Për krime të tilla duhet të ketë një ligj që një muaj në vit duhet ta kalojnë në izolim deri në fund.
PërgjigjuDenim i menituar dhe ti digjet jeta ketij mbeturine dhe ti nxihet jeta asaj familje mbeturine qe prodhoi kete kalbesire. Ky qofte fundi i cdo mbeturine tjeter qe cenon policet ne detyre. Zoti i dhente paqe policit te shkrete!
PërgjigjuKy krimineli është psikopat bashkë me të ëmën. Nga ato pak raste që do doja të kishim dënim me vdekje. Ka krime të rënda me ndonjë "motiv", por ky rasti ishte barbarizëm shpellar. Ky nuk meriton të jetojë.
Tani do ta shikoj se sa e veshtire eshte jeta e gangsterrit ky palacua , deri tani ska pare gje akoma
Përgjigju