Stadiumi në Leskovac ku do luhet Serbi - Shqipëri më 11 tetor 2025

Sport

Kupa e Botës/ FIFA dënon Serbinë, kundër Shqipërisë në Leskovac me vetëm 6.500 tifozë

30 Shtator, 09:30| Përditesimi: 30 Shtator, 13:28

  • Share

Thirrjet raciste, pankartat kundër shqiptarëve dhe dhuna në tribunat e stadiumit 'Rajko Mitic' në Beograd gjatë humbjes 0-5 kundër Anglisë më 9 shtator, i kanë kushtuar Federatës Serbe të Futbollit një gjobë prej 80 mijë frangash zvicerane (85 mijë euro), si edhe zhvillimin e ndeshjes së radhës (ajo kundër Shqipërisë) me 20 përqind të stadiumit të rekuktuar.

Kështu, në stadiumin 'Duboçica' të Leskovacit, më 11 tetor 2025 Serbia dhe Shqipëria do kenë në tribuna afro 6.500 tifozë (serbë), me sfidën që vlen për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026 dhe është shumë e rëndësishme për fatet e skuadrave drejt objektivave.

"Komiteti Disiplinor i FIFA-s ka lëshuar një vendim për të gjobitur Shoqatën e Futbollit të Serbisë me shumën prej 80,000 frangash zvicerane për incidente që lidhen me rendin dhe sigurinë, si dhe për sjellje të papërshtatshme dhe diskriminuese të disa tifozëve gjatë ndeshjes kualifikuese të Kupës së Botës FIFA 2026, Serbi - Angli, të luajtur më 9 shtator 2025 në stadiumin 'Rajko Mitić'.

Përveç gjobës, Shoqata e Futbollit të Serbisë është urdhëruar të luajë ndeshjen e radhës përzgjedhëse të FIFA A (kundër Shqipërisë në Leskovac) me një numër të kufizuar spektatorësh. Në atë rast, të paktën 20% e kapacitetit të tribunave do të jetë e mbyllur, kryesisht pas portave", thotë FIFA.

Ndeshja e parë e këtyre kualifikueseve e luajtur në Tiranë më 7 qershor mes Shqipërisë dhe Serbisë përfundoi 0-0 dhe asnjë tifoz serb nuk kishte në stadium.

NGJARJA

Humbja 0-5 kundër Anglisë në Beograd nuk ishte vetëm katastrofike në fushë për Serbinë, pasi në tribuna pati përleshje mes mbështetësve të presidentit Vucic dhe atyre që janë kundër tij, në një kohë kur Serbia prej muajsh është përfshirë nga një klimë jo e qetë politike dhe shumë protesta masive janë organizuar nga studentët.

Si të mos mjaftonin problemet e brendshme, huliganët serbë nuk e harrojnë Kosovën dhe pankartat kundër shqiptarëve, fyerjet dhe thirrjet raciste ishin të pranishme në një stadium, i cili edhe ai ishte i dënuar me uljen e 20 përqind të kapacitetit.

DËNIMI I FIFA-s DHE HISTORIA

Sjelljet e përsëritura raciste kanë bërë që FIFA ta dënojë sërish Federatën Serbe të Futbollit me gjobë prej 80 mijë frangash zvicerane dhe reduktimin me 20 përqind të kapacitetit të stadiumit për sfidën e radhës.

Ndeshja e radhës në shtëpi për serbët është ajo kundër Shqipërisë më 11 tetor. Dueli i Grupit K kualifikues të Kupës së Botës 2026 është një test organizimi për Serbinë, pasi kundër Shqipërisë të gjithë e mbajnë mend ndeshjen e 14 tetorit 2014 në Beograd, kur huliganët serbë u futën në fushë dhe dhunuan futbollistët e kombëtares shqiptare për sfidën që vlente për kualifikueset e Euro 2016.

Pamjet bënë xhiron e botës dhe FSHF fitoi në CAS çështjen duke marrë tri pikë në tavolinë (3-0), të cilat ndihmuan ekipin tonë për të shkuar për herë të parë në fazën finale të një Evropiani.

NDRYSHIMI I STADIUMIT

Frika nga huliganët dhe mundësia për përsëritjen e ngjarjeve të 2014 bënë që serbët të kërkonin në FIFA dhe UEFA zhvendosjen e ndeshjes me Shqipërinë, e programuar fillimisht në Beograd. Organi botëror i futbollit pranoi kërkesën (u dakordësua edhe FSHF), duke zhvendosur ndeshjen e 11 tetorit 2025 nga Beogradi për në stadiumin 'Duboçica' në qytetin e Leskovacit.

TIFOZËT

Në një dakordësi mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe asaj serbe, është vendosur që në ndeshjet Shqipëri - Serbi ose anasjelltas të mos ketë tifozë miq, kjo për të shmangur problemet. Kështu, më 11 tetor në Leskovac nuk do ketë tifozë shqiptarë në tribuna, të paktën të organizuar.

PARADOKSI

Nëse UEFA miratoi që Shqipëria dhe Serbia të bashkorganizonin 'Euro 2027' për 21-vjeçarët, federatat përkatëse ende nuk e kanë zgjidhur çështjen e tifozëve. Historia dhe vrasjet që Serbia ka kryer në Kosovë nuk kalohen lehtë dhe as futbolli nuk i ka bërë bashkë tifozët.

RENDITJA

Veç anës historike, dueli në fushë merr një tjetër karakter pasi vendos shumë për fatet e Grupit K kualifikues të Kupës së Botës. Pas pesë sfidave të luajtura, Anglia me 15 pikë mban kreun duke lënë pas Shqipërinë me tetë pikë. Serbia me shtatë pikë ndodhet në pozitën e tretë, por ka një ndeshje më pak. Më pas vijnë Letonia (4 pikë) dhe Andorra me zero pikë.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Erion Veliaj ankimon në Kushtetuese shkarkimin, si e vlerësoni?