Tifozat Kuq e Zi në përballjen ndaj Andorrës në Tiranë

Sport

FIFA gjobit FSHF-në dhe 'kyç' një pjesë të stadiumit për ndeshjen kundër Serbisë

15 Prill, 14:09| Përditesimi: 15 Prill, 14:32

  • Share

FIFA ka gjobitur Federatën Shqiptare të Futbollit pas sjelljes diskriminuese të tifozëve shqiptarë gjatë ndeshjes kualifikuese për Botërorin 2026 ndaj Andorrës, e zhvilluar në stadiumin “Arena Kombëtare” më 24 mars 2025.

Komisioni Disiplinor i FIFA-s e konsideron të papranueshme sjelljen e tifozëve dhe ka vendosur një gjobë prej 20 mijë frangash zvicerane (21.600 euro) ndaj FSHF-së si edhe mbylljen e të paktën 20% të stadiumit në ndeshjen e radhës së Shqipërisë në kompeticionet e FIFA-s, me prioritet në tribunat pas portave.

Sipas vendimit të dhënë nga FIFA, ky 20% mund të mbushet me grupe të komunitetit ose organizata kundër diskriminimit, me miratim paraprak nga qeveria botërore e futbollit. Gjithashtu, brenda 6 muajve, FSHF duhet të hartojë dhe të paraqesë një plan të përmirësuar kundër diskriminimit që duhet të miratohet nga FIFA.

Ndërkohë që ndeshja e radhës për Kombëtaren është ajo kundër Serbisë më 7 qershor për Grupin K në Kupën e Botës. Tanimë pas këtij dënimi 20 përqind e "Arenës Kombëtare" në Tiranë kundër kombëtares serbe duket se do mbushet me fëmijë, gjë që do miratohet nga FIFA duke parë edhe rrezikshmërinë e duelit.

NGJARJA - Me të nisur ndeshja kundër Andorrës, Tifozat Kuq e Zi në kor lëshuan thirrje kundër Armand Dukës, në lidhje me bashkorganizimin e Euro 2027 për 21-vjeçarët me Serbinë. Në thirrjet e tyre TKZ nuk kursyen as Serbinë. Ata braktisën ndeshjen për shumë minuta dhe më pas u rikthyen në stadium. Kujtojmë se mes TKZ dhe FSHF ka një "luftë" të hapur në lidhje me biletat që ultrasit kishin në dispozicion në sektorin e tyre, gjë që FSHF pas shumë vitesh ua hoqi këtë të drejtë duke i nxjerrë të gjitha në shitje online.

Më poshtë faksimile e vendimit të Komisionit të Disiplinës së FIFA-s:

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet t’u jepet mundësia prokurorëve të SPAK të rikandidojnë?