Instituti Parlamentar mendon se diktatori Enver Hoxha, i cili udhëhoqi vendin me dhunë për të paktën 4 dekada, mund të nderohet nga Parlamenti i Shqipërisë, duke e futur në listën e figurave kombëtare për muajin tetor. Kjo përzgjedhje ka shkaktuar irritim dhe reagime të ashpra në opinion. Një të tillë e ka dhe Qëndresa Qytetare, e cila thotë se “futja e emrit të Enver Hoxhës në listën e personaliteteve të muajit tetor në Kuvend është si të futet emri i Hitlerit në hollet e Bundestagut!”
“Në një vend ku plagët e komunizmit nuk janë mbyllur ende dhe qindra trupa janë ende të zhdukura, futja e figurës së Enver Hoxhës në listën e personaliteteve kombëtare të muajit tetor nga Kuvendi i Shqipërisë është një akt skandaloz. Emri i tij radhitet krah personaliteteve të kombit që u vranë e u përndoqën nga ai, për mëkatin e vetëm se donin Shqipërinë e madhe.
Të vendosësh emrin e Enver Hoxhës në krah të Gjergj Fishtës, të cilit ia zhduku edhe varrin, dhe në krah të Mit’hat Frashërit, të cilin e përndoqi deri në vdekje jashtë atdheut, nuk është gabim burokratik, por është akt.
Vendosja e emrit të Enver Hoxhës në listën e personaliteteve të Kuvendit të Shqipërisë është e barasvlefshme me vendosjen e Adolf Hitlerit në listën e personaliteteve të Gjermanisë. Qëndresa Qytetare i kërkon Kuvendit të Shqipërisë të tërhiqet nga ky akt nihilist që nxit përçarje dhe fyerje”,- thuhet në reagimin e Qëndresës Qytetare.
Çudia e Instituti Parlamentar, në varësi të Kuvendit, është se në përshkrimin që bëjnë për diktatorin Hoxha, e cilësojnë thjesht si Udhëheqës i Partisë Komuniste, apo si ‘Hero i Popullit’ dhe ‘Hero i Punës Socialiste’, sikur të mos kishte urdhëruar pushkatime, internime e burgosje masive.
“Udhëheqës i Partisë Komuniste dhe më pas i Partisë së Punës të Shqipërisë. Udhëhoqi Luftën ANÇ dhe drejtoi shtetin shqiptar pas luftës. Pas çlirimit u zgjodh deputet në të gjitha legjislaturat dhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Hero i Popullit, Hero i Punës Socialiste etj”, kështu përshkruhet në dokument figura e Enver Hoxhës.
Ajo që ka ngjallur më shumë zemërim ështe se figura e Enver Hoxhës është renditur përkrah figurave të mëdha të letërsisë dhe historisë shqiptare, si Dritëro Agolli, Naim Frashëri dhe Sulejman Delvina. Një reagim të ashpër ka pasur edhe nga deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, i cili thotë se i ka kërkuar Kuvendit të tërheqë menjëherë atë dokument dhe të kërkojë ndjesë.
"Si ka mundësi, që në materialin e dërguar mbi personalitetet kombëtare, vendosni edhe Enver Hoxhën, e madje si udhëheqës i vlerësuar me tituj? Si mundet që Kuvendi i Shqipërisë u kërkon deputetëve të respektojnë ish diktatorin që është përgjegjës për mijëra të vrarë, burgosur, internuar? I kërkova Kuvendit të tërheqë menjëherë atë dokument dhe të kërkojë ndjesë", shkruan Kapri.
Pas polemikave të shumta, Kuvendi i Shqipërisë ka reaguar për Report Tv duke sqaruar se Instituti Parlamentar ka ”shpërndarë një material që përfshin datat e lindjes dhe të vdekjes të disa figurave të historisë të shtetit shqiptar përgjatë muajit tetor, i bazuar tërësisht në të dhënat e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar”. Kuvendi thotë se nuk ka planifikuar zhvillimin e ndonjë aktiviteti të veçantë në lidhje me figurat e përmendura në material.
“Ky informacion është pjesë e praktikës rutinë të Sektorit të Bibliotekës, i cili i furnizon periodikisht deputetët me të dhëna historike dhe arkivore, me qëllim informimin e përgjithshëm për ngjarje, data apo elementë të tjerë me karakter historik.
Në rastin konkret, sektori ka shpërndarë një material që përfshin datat e lindjes dhe të vdekjes të disa figurave të historisë të shtetit shqiptar përgjatë muajit tetor, i bazuar tërësisht në të dhënat e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (2008), fq. 957.
Kuvendi i Shqipërisë nuk ka planifikuar zhvillimin e ndonjë aktiviteti të veçantë në lidhje me figurat e përmendura në këtë material dhe nuk ka shprehur asnjë qëndrim vlerësues, pozitiv apo negativ, për asnjërën prej tyre”, thuhet në reagimin e Kuvendit për Report Tv.
Instituti Parlamentar (IP) është një drejtori e përgjithshme në administratën e Kuvendit që mbështet deputetët në ushtrimin e funksioneve të tyre kushtetuese. Ky material është dërguar me inciativë të tij në email-et e deputetëve, duke përgatitur një listë me figurat që mund të nderohen gjatë muajit tetor, ku mes Enver Hoxhës janë renditur edhe figura si Bashkim Fino, Ahmet Zogu, Dritëro Agolli, etj
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente

40 vite drejtoi popullin, nga skllavopronaria drejt një ekonomie bujqesore, me industri export deri institut studimesh bërthanore!!! Zogoll mortja as paludizmin nuk e eradikoi, jo më ekonomi për kombin, vodhi thesarin madje dhe banka kombëtare njihej në 2 gjuhë shqip e italisht, banca nazionale d'Albania, e mbajti pushtetin me vrasje e gjak, u vetëshpall kryeminister e mret!!!! Më gjakatar se kaq nuk ka !!!!!! Lere pastaj bershë kërma , nga t'ia nisësh !!!!! Mjaft turpëruat veten!!!
PërgjigjuEnver hoxha dum apo sduam ne eshte pjes e histories se shqiperise si shtet per mire apo per keq asnjeri nga ne nuk ka monopolin e se vertetes.edhe ne spanje Franco ishte diktatori me i eger dhe shkaktari I luftes civil por askush nuk e zhvarrosi.enver hoxha ka meriten qe ne shqiptareve na hoqi bishtin. Asnje revolucion ne bote nuk eshte bere pa derdhur gjak
PërgjigjuPse ky reagim vetem per Enver Hoxhen dhe jo per kreun e agjentures serbe ne Shqiperi, kryekriminelin dhe kryehajdutin Ahmet bej Zogolli qe iku prane milioaneve qe kishte vjedhur dhe i kishte siguruar ne bankat e Europes dhe Amerikes per 14 vjet, si dhe 12 arkat me flori te vjedhur nga banka Kombetare e Shqiperise, duke ikur fshehurazi neper nate si tradhtari me i madh i popullin shqiptar ne oren e eze te pushtimit fashist?!
Përgjigju