TIRANË- Myslim Pashaj sjell personazhin kompleks “Mehmet Shehu” përmes një romani historik të promovuar këtë të mërkurë në Akademinë e Shkencave. Imazhi i partizanit i ngrirë në kohë nga piktori Bashkim Alushi paralajmëron shtrirjen e rrëfimit, nga lindja e ish-kryeministrit Shehu në vitin 1943.
“Romani që po i jepet lexuesit hap diskutime të shumta dhe vështruar nga lënda që trajton, nga zbulimi dhe interpretimi i fakteve të njohura, por edhe nga rrëfimi i atyre të mbuluara apo të treguara në mënyrë të njëanshme, do ta vendos këtë epope të shqiptarëve në një kënd tjetër vështrimi”, thotë studiuesi Ilir Yzeiri.
Romani gërsheton fictionin me fakte e dokumente të reja.
“Nga ana tjetër romani ka një ngjyrë të thellë lokale. Është hera e parë që Mallakastra dhe personazhet historikë të saj dhe të Lumit të Vlorës rrëfehen me të gjitha dritëhijet e tyre”, shton më tej Yzeiri, autor i parathënies së librit, duke u ndalur edhe tek besimet, mënyra e jetesës e ligjërimi tipik i kësaj krahine.
Autori e prezanton për lexuesin gjatë këtyre Ditëve të Bardha të Mallakastrës, vendlindjes së tij.
“Ky libër është një pasuri, jo vetëm për Mallakastrën, por gjithë Shqipërinë. Kemi të bëjmë me një figurë kombëtare, e cila ka të bëjë me historinë e shtetit shqiptar. Ka të bëjë me kryeministrin më jetëgjatë të këtij vendi”, thotë avokati Idajet Beqiri, Kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore Mallakastra.
Botimi shoqërohet me parathënien e studiuesit Ilir Yzeiri, e sipas tij, përbën një ngjarje në jetën kulturore, por lë vend edhe për debat. Libri shpalos gradualisht angazhimin e Shehut në luftën kundër pushtuesve e prek të tjera momente kyçe, që i paraprijnë e diskutohen ende sot, si krijimi dhe fshehja e programit të socialdemokratëve nga Mehmet Shehu gjatë kthimit në vend.
“Nata e parë që ka ardhur tek Teqeja, kur ka ardhur nga krusma e madhe e kampeve të përqendrimit dhe nga ploja e Luftës së Spanjës, ka shkruar traktatin mbi krijimin e shtetit të socialdemokracisë në Shqipëri. Pra, është po ajo vepër që i hëngri kokën në vitin 1981. Figura e Mehmet Shehut është tragjike”, thotë autori i librit, koloneli Myslim Pasha.
Nga shkollimi në Fultz e braktisja e Akademisë Ushtarake në Modena, për t’u rikthyer në vendlindje, romani evidenton psikologjinë e Shehut, rebelimi e guximi i tij ndaj njerëzve të pushtetshëm, që ndoshta çojnë edhe në përplasjen me Enverin në Konferencën e Labinotit.
“Ishte hera e parë që takoheshin. U ngrit në këmbë dhe i drejtohet Enver Hoxhës me këto fjalë: “Ti që fole për proletariatin dhe fshatarësinë, nuk e njeh as proletariatin e as fshatarësinë”... U habitën të gjithë, thanë “ Ç ’është ky emër, nga vjen ky?!”, shton më tej autori, duke zbuluar vetëm disa nga fragmentet jetësore që të Shehut që trajton romani.