Punimet me tezgjah janë pjesë shumë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore e shpirtërore të zonës së Gollobordës në Dibër.
Një ndër gratë që ruan me fanatizëm zanatin është Beaze Muça, 57-vjeçe, nga Ostreni i Madh.
“Kam qenë 10 vjeçe dhe shikoja si punonte nëna dhe unë e kisha me qejf dhe fillova të punoj. E kam trashëguar zanatin nga nëna (qan kur kujton nënën). Pasi u martova, gjeta dhe vjehrrën që punonte veshje popullore të zonës. E kisha me qejf të madh. Ma la vjehrra punën e vet që kishte. Më përpara bëheshin veshje vetëm për nuset, tani bëhen veshje dhe për vajzat e fëmijët. Ka kërkesa për veshje popullore, sidomos për dasma e festa. E kemi trashëguar zanatin brez pas brezi”, rrëfen artizanja për Report Tv.
Këto kostume popullore për gra e vajza, që dominohen nga ngjyra e kuqe, shiten brenda e jashtë vendit për dasma e gëzime familje dhe kushtojnë 250-300 euro.
“Më duhet afërsisht një muaj për të bërë një kostum popullor. Tani po bëj brezin, (më pas shpjegon dhe si bëhet këmisha, shamijat, etj). Një veshje popullore kushton 250 deri në 300 euro. Kërkesa kemi, jo me shumicë, por pa punë nuk kam mbetur. Kemi kërkesa brenda dhe jashtë vendit. Këtu në Ostren ka 5-6 gra që punojnë me tezgjah. Fëmijët i kam në emigrim, nuk ua trashëgova dot zanatin se janë larg”, shprehet ajo.
Dallëndyshe Tola, kunata e Beazes, mësuese në shkollën e Ostrenit të Madh, na shpjegon me detaje veshjen tradicionale të zonës Gollobordës, duke i demonstruar tek vajzat e reja.
“Me këtë veshje që kam veshur këtë gocën, veshim edhe në rast feste, për Bajram, shoshjen e drithit para dasmës. Përdorim këtë brezin, pjesën e bohçes, etj. Të gjitha këto i punon nusja e vëllait”, thotë arsimtarja.
Familja Muça është pjesë e minoritetit bullgar, në pjesën juglindore të Dibrës dhe ruan me fanatizëm gjurmët e lashta të kulturës materiale dhe shpirtërore.
Komente
