Foto ilustruese

Fiket drita e burimeve njerëzore edhe në sektorin call center, kompanitë drejt alternativës për punësimin e të rinjve nga Afrika dhe Filipinet

19 Dhjetor 2023, 09:05| Përditesimi: 19 Dhjetor 2023, 09:07

  • Share

Sektori call center vijon të jetë në vështirësi të madhe për gjetjen e punonjësve, ndonëse së fundmi kompanitë italiane që ofrojnë shërbim ndaj palëve të treta kanë zgjeruar kontratat me operatorë ndërkombëtarë, duke përfshirë Apple, Booking apo DAZN (platformë ndërkombëtare për ndeshjet sportive).

Për përfaqësuesit e operatorëve call center shkaku kryesor i problematikës te burimet njerëzorë mbetet emigracioni i lartë i të rinjve drejt vendeve europiane. Stafet e punonjësve për sektorin sipas kompanive janë tkurrur 30% krahasuar me vjet. Të rinjtë e grupmoshës 25 deri 35 vjeç janë ata që më tepër po emigrojnë sipas tyre.

Të gjendur para kësaj vështirësie kompanitë po shohin si alternativë zgjidhje zëvendësimin e fuqisë punëtorë, me punonjës të huaj me njohuri të gjuhës angleze dhe frëngjishtes, si kontribut në përmirësimin e situatës, duke qenë se ndërmarrjet nuk punojnë më masivisht vetëm me italisht folës.

Lorenc Goga nga “Facile.it” tha për Monitor se mbetet një opsion për t’u parë mundësia e marrjes së punonjësve nga Filipinet, apo shtetet e Afrikës Veriore, si: Tunizia dhe Maroku dhe të Afrikës perëndimore Gana dhe Nigeria.

“Nëse gjenerata e viteve ’80 -‘90 mësuan në mënyrë audidakte gjuhën italiane, tashmë kjo nuk po ndodh më masivisht me të rinjtë e sotëm. Por problematika kryesore nuk është mungesa e njohurive për gjuhë të huaja, pasi pjesa dërrmuese e të rinjve të sotëm janë njohës të gjuhës së studiuar angleze. Kjo është avantazh për sektorin i cila ka zgjeruar kontrata e shërbimet me shumë kompani ndërkombëtare.

Problematika kryesore mbetet mosgjetja e punonjësve, për shkak të emigrimit. Aktualisht kompanitë call center nuk mund t’i përgjigjen me punonjës zhvillimit të këtij tregu. Në shumë raste jemi të detyruar që fushata shërbimi që mund të kryenin në vend i kemi transferuar në Itali për zbatim, pasi nuk gjejmë punonjës. Një alternative mbetet studimi i opsionit për marrjen e punonjësve të huaj”, tha ai.

Ndonëse deri tani nuk është finalizuar asnjë kontratë për rekrutime punonjësish në call center nga Filipinet dhe vendet e Afrikës, Goga thekson se para zbatimit të kësaj mase është mjaft e domosdoshme që të mbështeten nga institucionet shqiptare me hartimin e një legjislacioni, për formalizimin e marrëdhënieve me punonjësit e huaj dhe për kualifikimin e tyre, me qëllim përjashtimin e rreziqeve të mundshme për mosfuksionimin e saj.

Për sa i përket alternativës tjetër për zgjidhjen e problematikës së punësimeve duke përdor inteligjencën artificiale Lorenc Goga pohon se të gjitha kompanitë kanë avancuar me investimet për automatizim, duke i ndihmuar në reduktim kostosh, por roli i njeriut në këtë sektor mbetet i pazëvendësueshëm.

Edhe kompanitë e tjera të sektorit call center kanë ngritur më herët shqetësimin se problematika me rekrutimet ka nisur që në vitin 2017 dhe vitet e fundit është kthyer në një shqetësim real.

Më tepër tkurrje të punësuarve kanë kompanitë e vogla call center. Të mëdhenjtë pas rënies së numrit të punësuarve në pandemi, kanë nisur rikuperimin me rekrutimet.

Administratori i kompanisë “Albacontact” Ervin Gogo pohoi më herët për Monitor se në terma afatshkurtër problemi duket i pazgjidhshëm për sektorin, duke rrezikuar tkurrjen deri në mbylljen e kompanive të vogla.

Sipas të dhënave të DPT, deri në shtator të vitit 2022 në ndërmarrjet call center ishin të punësuar 12,404 punonjës. Në raport me 2019 numri i punonjësve është ulur 8%./Monitor

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Beni: 20/12/2023 22:53

    Një ide tjetër revolucionare është edhe rritja e rrogave për bashkëkombasit e tu, para se të shkosh e të punësosh afrikanë e aziatikë.

    Përgjigju
  • BliShit: 19/12/2023 15:34

    Po ikni o te pafytyre mos na beni dhe moral...

    Përgjigju
  • adi: 19/12/2023 14:40

    Thuaj Ervin Gogos qe te deklaroj pagat e veta se del me 3 punesime me page max 60k lek te deklaruara. dhe alba contact KA RROGA SKANDALOZE akoma ne mes te Tiranes jep 60-70k leke rroge. ndersa Lorenc Goga SAME THING, del ne 4-5 pune dhe paga te deklaruara skandaloze. nderkohe punonjesit RROGA SKNDLLOZE akoma kshu qe thuaji atyre dyve QEPENI mos flisni se skeni goje

    Përgjigju
  • adela: 19/12/2023 14:34

    SHUME E THJESHTE. Rrisni pagat? KAQ. nuk mjafton me 1000euro page, bejeni ju nga 2000 e 3000 e shiko ti iken njeri? nuk ka pse drejtori mer 50000 euro e shefat nga 5000 6000 dhe punojesit nga 500-1000 max. rritja e pagave e zgjidh problemin SUPER E THJESHTE. mos te na thojne jo ikin, jo sdine gjuhen. per pagen ikin e mesojn gjuhen e vijne madje kshu rrisni dhe cilesine e stafit me paga te mira po ju doni te vidhni si nje kompani amerikane qe punova, drejtori merte 15mil lek te vjetra ne muaj, punonjesit nga 700-900 mije leke te vjetra gjithmone. dhe iken gati 50% nga puna per 5-6 muaj

    Përgjigju
  • Turi: 19/12/2023 14:10

    Rrisni rrogat, ose zhdukuni nga tregu. Ky eshte kapitalizmi.

    Përgjigju
  • Kurioz: 19/12/2023 14:09

    Nese klientet dhe punonjesit jane jashte, pse duhet te operoje ne Shqiperi biznesi? Apo pronaret duan te vazhdojne te bejne evazion fiskal ne Shqiperi per arsyje patriotike?

    Përgjigju
  • Dory: 19/12/2023 11:23

    Po ky tipi qe ben interesantin pse nuk thote qe paguan 50.000 ne muaj? Normal qe nuk te rrijne operatoret

    Përgjigju
  • Biku: 19/12/2023 09:45

    Kto ankohen por askush nuk ze ne goje motivin kryesor. Paguajne me banane. Paga qesharake. Eshte kapitalizem daku, nese nuk je konkurencial meriton te zhdukesh nga tregu.Biznese te babëzitura qe ja vejn fajin cdo faktori per vec paaftesisi te tyre

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?