Tirane- Muaji i Ramazanit është muaji më i rëndësishëm për besimtarët mysliman. Nënkryetari i KMSH-së, Taulant Bica duke folur në lidhje Skype për ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report u shpreh se këtë muaj besimtarët mezi e presin dhe është një mundësi për të reflektuar.
‘Agjërimi është një nga mënyrat më të mira të të komunikuarit me Zotin. Një muaj që besimtarët me zor e presin. Ka shumë hare. Muaji mëshirës i faljes, i amnistisë së madhe. Në jetën tonë të përditshme bëjmë shumë gabime. Dhe këtë e shikojmë si mundësi për të reflektuar për t’u bërë njerëz më të mirë me njëri tjetrin dhe Zotin e gjithësisë.’
Ramazani nuk ka të bëjë thjesht me agjërimin në të ngrënë edhe të pirë, por privimi nga vese të këqija.
‘Ajo që dihet nga të gjithë njerëzit moskonsumimi i diçkaje nga goja dhe marrëdhëniet bashkëshorte nga agimi deri në perëndim. Por agjërimi nuk mbetet me kaq. Kjo është vetëm fillimi. Përveç kësaj njeriu duhet të mos neglizhojë që është ashtu siç privon veten nga ngrënia dhe pirja, por edhe nga veset e këqija. Nga fjalët e këqija, urrejtja. Mund të themi që ka dy aspekte ndenje pa ngrënë dhe pirë, por edhe aspekt moral.’
Sa i përket atyre që agjërojnë, Bica shton se nëse janë të pamundur mund t’i zëvendësojnë më pas.
‘Ky muaj ka 30 ditë, por ka raste që agjërohet edhe 20 ditë. Kemi obligim të agjërojmë gjithë muajin. Ka qytetar që duan të agjërojnë në disa ditë. Shumica e shqiptarëve agjërojnë në natën e Kadrit. Katër ditë para mbarimit të Ramazanit. Sa i përket atyre që nuk agjërojnë, mund të zëvendësojnë në ditët më pas kur shpëtojnë nga këto pengesa.’
Përveç të rriturve mund të agjërojnë edhe fëmijët, por nën udhëheqjen e prindërve.
‘Normalisht si rregull në momentin që personi arrin në moshën e pubertetit dhe është mendërisht i formuar atëherë personi e ka obligim agjërimin, në moshën 13-14 vjeçare, varet nga personi. Kjo është çështja besimi dhe fundja besimi është çështje e personit. Mesa kemi kontakte mesa shikojmë nga familjarët, kur personi e mbush pubertetin, një vit përpara e mëson prindi. Është diçka që vjen natyrshëm. Fillimisht fëmija mësohet me gjysëm dite.’
Gjatë muajit të Ramazanit bëhen edhe bamirësi për të ndihmuar të varfrit.
‘Muaji i Ramazanit është muaj i virtyteve dhe çdo virtyt shumëfishohet. Kur vjen muaji i Ramazanit bujaria e besimtarëve mysliman arrin majat. Gjithmonë kemi bërë nisma të tilla që i emërtojnë me slogane të ndryshme. Me të ardhurat që mblidhen komuniteti bën organizimin dhe bëhet urë lidhëse mes të varfrit dhe të pasurit.’
Së fundmi, nënkryetari i KMSH, thotë se këtë muaj bëhen lutje për Gazën dhe Ukrainën.
‘Muaji i Ramazanit është muaji i mëshirës. Kemi obligim që t’i lutemi Zotit edhe për të tjerët. Lutja më e pranuar është lutja për tjetrin, prandaj ky muaj do të jetë një muaj i lutjeve të shumta, për të gjithë njerëzimin. Çdo mysliman do ta shfrytëzojë në maksimum për tu lutur qoftë për Gazën qoftë për Ukrainën.’