Dy ditë nga nisja e e vitit të ri shkollor, Ministria e Shëndetësisë ka siguruar për nxënësit dhe prindërit që strukturat e shëndetësisë janë në gatishmëri.
Përmes një videomesazhi, ministrja Ogerta Manastirliu i bëri apel mësuesve dhe nxënësve që të respektojnë sa më shumë masat mbrojtëse nga koronavirusi në ambientet e shkollës.
"Periudha që po afron nuk do të jetë e lehtë dhe përveç forcimit të kapaciteteve të sistemit shëndetësor, për të cilat kemi marrë masa në planin e Vjeshtë-Dimrit, kërkon gjithashtu angazhimin e të gjithë qytetarëve, veçanërisht çdo prindi, për rolin e rëndësishëm që duhet të luajë secili prej nesh, për të frenuar përhapjen e Covid19. Strukturat e sistemit shëndetësor janë në gatishmeri për t’ju përgjigjur çdo problematike, si dhe për të identifikuar dhe izoluar në kohë çdo rast të dyshuar. Duhet të mësohemi me maskën. Për çdo shqetësim, duhet të kontaktoni koordinatorin e shkollës, i cili sinjalizon menjëherë strukturat shëndetësore. Të kontribuojmë të gjithë për shkolla më të sigurta, për shëndetin e fëmijëve tanë, të mësuesve dhe të gjithë komunitetit!", apelon Manastirliu.
Gjithashtu ministrja u kërkon dhe prindërve që të bashkëpunojnë me mjekët e familjes për t'i sinjalizuar sa më parë për simptomat e fëmijëve.
"Bëhuni bashkëpunëtorët e parë me mjekun e familjes. Sinjalizojeni atë nëse ka diçka që shihni se nuk shkon te fëmija juaj. Matini çdo ditë temperaturën fëmijës para se të niset për në shkollë. Rihapja e shkollave është momenti më i mirë për të treguar se shëndeti dhe mirëqenia e fëmijëve janë kaq të rëndësishme për ne, ndaj s’duhet të lejojmë asgjë të na cënojë shëndetin dhe përparimin e fëmijëve dhe shoqërisë tonë", apelon Manastirliu.