Fillon sot fushata për zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit në Kosovë

3 Shkurt 2021, 08:56| Përditesimi: 3 Shkurt 2021, 13:37

  • Share

Zyrtarisht ka nisur fushata zgjedhore për kandidatët partiakë të cilët garojnë për një ulëse në Kuvendin e Kosovës, në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, duket që për shkak të pandemisë, nuk ka pasur ndonjë organizim të veçantë ku liderët e subjekteve do t’ju drejtoheshin masës me mesazhe. Po ashtu, për dallim nga herët tjera, kjo fushatë për zgjedhje të parakohshme zgjat vetëm 10 ditë.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit do të marrin pjesë 28 subjekte politike. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar Listën Përfundimtare të Votuesve brenda dhe jashtë Kosovës për zgjedhjet e 14 shkurtit, ku të drejtë vote kanë 1,794,862 qytetarë. 143 mijë e 6 votues më pak se në zgjedhjet paralamentare të vitit 2019.

Arsyeja se përse ka më pak votues në këto zgjedhje është për shkak se KQZ-ja ka vendosur që t’i largojë nga lista votuese 122 mijë e 421 persona të cilët posedojnë vetëm dokumente të identifikimit të lëshuar nga UNMIK-u. Sipas KQZ-së, dokumentet e UNMIK-ut nuk shërbejnë për t’u identifikuar në vendvotim në ditën e zgjedhjeve.

Po ashtu, KQZ-ja ka larguar nga lista votuese edhe 11 mijë e 86 persona të cilët janë konfirmuar se janë larguar nga skema pensionale për shkak se kanë vdekur. Numri i Qendrave të Votimit në të gjithë Kosovën është 888, me gjithsej 2 mijë e 382 vendvotime.

Në mbledhjen e së martës, KQZ-ja, po ashtu, ka miratuar fletëvotimin dhe broshurën për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2021 për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ora 11:11
Fushatë jo si të tjerat në Kosovë mes COVID dhe kohës shkurtër

Ditën e sotme ka nisur zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë.  Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, për shkak të pandemisë dhe gjobave që kanë marrë nuk ka pasur ndonjë organizim të veçantë.

Fushatë zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme ndryshe nga periudha e zakonshme mujore do të zgjasë vetëm 10 ditë.

Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor janë angazhuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Prokuroria, Policia e Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Këto zgjedhje kanë qenë ndër më të diskutuarat në historinë e vendit edhe për shkak të përjashtimit nga kandidimi të disa kandidatëve të cilët kishin pasur dënime të formës së prerë tre vitet e fundit, mes të cilëve është edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, i konsideruar gjerësisht në opinionin vendas si pretendent për Kryeministër.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?