Seksi dhe shqiptarët, si shiheshin në Shqipërinë e para viteve 90 filmat e ndaluar erotikë? Si u krijua në Tiranë kinemaja e parë me filma erotikë dhe cili ishte roli i Electric Blue? Për këto dhe të tjera Adi Pojana ishte i ftuari i mbrëmjes në Esencë që shfaqet çdo të premte ora 21:00 në Report Tv.
Eljan Tanini: -Sot po flasim për një temë që dikur trajtohej si e ndaluar, madje edhe e rrezikshme: filmat erotikë. Si e kujton ti Shqipërinë e para viteve 90-të në raport me këtë përmbajtje?
Adi Pojana: -“Electric Blue” ishte një program që ka ngacmuar thellë rininë shqiptare në vitet e fundit të komunizmit. Shqipëria ishte një burg i madh, një burg i hormoneve dhe i testosteronit. Rinia kërkonte rrugëdalje, dhe kjo vinte përmes televizionit jugosllav. Sinjalin e vidhnim me kanaçen e famshme, për të parë një botë tjetër – një botë që na ishte ndaluar.
Në vitin 1989, kur unë isha në shërbimin ushtarak në Çërravë të Pogradecit, sinjali nga Beogradi vinte aq qartë, sa nuk kishte nevojë për asnjë pajisje shtesë. Madje edhe vetë Televizioni Shqiptar nuk dilte aq mirë sa ai jugosllav.
Në repartin ushtarak isha përgjegjës i sallës së kulturës. Një sallë kishte libra dhe propaganda për t’u diskutuar çdo mëngjes, ndërsa tjetra kishte një televizor. Aty ndodhi kontakti im i parë me “Electric Blue”. E pashë vetëm, natën, me dritaret të mbyllura me batanije. Ishte një ndjesi e fuqishme, nuk harrohet!
Eljan Tanini: -Është ironike që kontakti i parë i shqiptarëve me seksualitetin ka ardhur përmes “armikut”, përmes programit serb. Të etur për muzikë, për revista, për seks ne ishim një brez që ushqehej me fragmentet që na vinin nga jashtë, ilegale, të ndaluara por aq të dëshiruara.
Adi Pojana: -Unë kam pasur në dorë një revistë Playboy, që thuhej se kishte ardhur nga marinarët në Durrës. Ishte mit, ishte mall, ishte vlerë. Edhe një kanaçe Coca-Cola kishte vlerë të jashtëzakonshme, e ruanim si Zot në shtëpi. Një stampë bluze, një shishe alkooli, ishin trofe të jetës moderne.
Nata kur pashë për herë të parë “Electric Blue” ishte si ritual. Zhvidhosa poçin e sallës që të mos dallohej drita. Në orën 01:30 doli njoftimi: “Program për të rritur”. Pastaj “Erotski Film”. Aty ndjeva një bllokim hormonal total. Filmi, sot i parë, nuk vlen dy para, por atëherë ishte çlirim.
Në repart qarkulloi fjala. Ditën e fundit të qershorit, gjithë reparti 30 veta doli jashtë gadishmërisë për të parë filmin. Një shoku im, që ishte roje te topat, e pa filmin nga jashtë, nga dritarja. Oficeri i rojes atë natë ishte në fundjavë në shtëpi. Ishim të gjithë “Brothers in Arms”.
Revistat pornografike nuk ekzistonin realisht në lagje. Kishte një ekzemplar që mbahej si thesar. Kishim dëgjuar për to, por ishte e rrallë të kishe një në dorë. Pastaj erdhi Perja, një personazh legjendar që jetoi vite në SHBA. Ai ishte ndër të parët që hapi një kinema pornografike në Tiranë, në vitin 1990.
Kinemaja e parë informale ishte në apartament të zakonshëm. Perja kishte shndërruar një dhomë në shtëpinë e tij në kinema. Vinte stola të mensës dhe shfaqte kaseta VHS. Mos harro se jemi në rrugën Myslym Shyri. Kishte bashkëpunim me një tjetër që kishte sjellë pajisje nga Gjermania. Bileta kushtonte 30 lekë. Ishte biznes dhe kulturë urbane. 30 lekë për të pare një film erotik i ndarë në pjesë, në min!
Në kinema të tjera të Tiranës ndodhte që kur skena e puthjes bëhej më e “ngrohtë”, filmi ndërpritej menjëherë. Kishte censurë të qartë. Filma si “Dy njerëz të një qyteti” apo “I gjithë faji është i Parajsës” i kemi parë ndryshe më pas te televizioni italian.
Eljan Tanini: -Më trego pak më shumë për muzikën e asaj kohe?
Adi Pojana: -Flirtimi ndodhte te Parku Rinia, te “xhiroja” e famshme. Pastaj shpikëm “Disko Shtëpinë”, një formë argëtimi në shtëpi ku dëgjonim muzikë, shpenzonim pak para, dhe thjesht kërkonim të jetonim ndryshe. Na mungonin hapësirat, por jo dëshirat.
Një histori që nuk e harroj ishte ajo e Ivi Pankut, një djalë shumë i njohur që në 1987 ra në dashuri me vajzën e një diplomati. U përfol në media të huaja. Më pas u largua në Gjermani.
Sot nuk ndajmë më dot çfarë është intime e çfarë është publike. Brezi ynë u rrit me një ndjeshmëri tjetër ndaj respektit. Kur Perja të kërkonte të blesh një paketë cigare me lekët e tij, ndiheshe i nderuar. Po t’ia jepte dikujt tjetër, xhelozoheshe. Kishim një kod të heshtur që sot është zbehur.
Komente
