E lindur në Budapest gjatë kohës së luftës së Dytë Botërore, Marianne Miller është një e mbijetuar e Holokaustit. Jeta e saj u shpëtua vetëm pasi e ëma i dha një ushtari nazist hungarez një unazë ari si ryshfet. Sot, historia e saj vjen e rrëfyer nga i biri, artisti izraelit Adir Miller, përmes filmit “Unaza” (The Ring) që u shfaq premierë edhe teatrin e Operës në Tiranë.
“Budapesti i përndoqi hebrenjtë, ndërsa këtu të gjithë i ndihmuan dhe askush nuk tregoi për ta. Por, familjarët e mi nuk kishin fatin të ishin në Shqipëri. Shumë prej tyre u vranë dhe u hodhën në Danub”., - thotë regjisori Miller.
Ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg dhe ministri Blendi Gonxhja folën për rëndësinë e kujtesës së holokaustit dhe njohjes pa deformime të historisë.
"Të tregosh historinë e Holokaustit 80 vite më pas është sfiduese. Duhet t’ia transmetojmë të gjithë brezave të rinj. Sot kemi arritur te gjenerata e pestë e të mbijetuarve dhe të gjithë duhet të njihen me këtë histori”., - vëren ambasadorja Peleg.
"Në një botë, ku historia herë harrohet e herë keqkuptohet, arti dhe filmat na ndihmojnë të reflektojmë për të kaluarën e përbashkët dhe për të pasur biseda të dobishme se si mund të ecim përpara”., -shprehet ministri Blendi Gonxhja.
Xhiruar në Izrael dhe në Hungari, “Unaza” rikrijon Evropën e viteve 1940, duke ndërthurur rrëfimet personale dhe historike.
Ndërkohë që shëndeti i nënës së tij përkeqësohet, Miller nis një udhëtim emocional në vendlindjen e saj në Budapest në kërkim të unazës që dikur i shpëtoi jetën.
Adir Miller është stand-up-komediani dhe aktori komik më popullor i Izraelit, ndaj “The Ring” rrëfen dramën e hebrenjve të gërshetuar me humor. Filmi ka pasur premierën e tij në Tel Aviv dhe do të shfaqet në Nju Jork më 28 janar dhe vjen në prag të 80-vjetorit të çlirimit të ish-kampit nazist të Aushvicit.